Lidhje

Nju Jork, shkurtimet në buxhetin e policisë ngjallin debat


Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në fillim të këtij viti, çoi në protesta të zgjeruara për drejtësi racore dhe gjithashtu në thirrjet për të shpërbërë departamentet e policisë dhe për të orientuar fondet e caktuara për to, drejt programeve sociale për të ndihmuar në uljen e krimit. Kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, tashmë u është përgjigjur këtyre thirrjeve. Materiali është përgatitur nga korrespondenti i Zërit të Amerikës Aunshuman Apte.

Protestuesit në Nju Jork po bëjnë thirrje për shpërbërjen e departamentit të policisë së qytetit. Ata janë pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare "Black Lives Matter", që kërkon t'i jepet fund asaj që ata e quajnë profilizimi mbi baza racore i afrikano-amerikanëve dhe përdorimi i forcës së tepëruar nga ana e policisë.

"Gjatë 50 viteve të fundit, kemi parë ulje të fondeve për arsimin. Kemi parë ulje të fondeve për strehim, për kujdesin shëndetësor dhe për të gjitha kushtet që do të na mbajnë të sigurt dhe do të na mbajnë larg varfërisë. Kemi parë rritje të fondeve për burgjet shtetërore dhe një sistem policor që kriminalizon jetën e njerëzve me ngjyrë dhe që na mban të dëmtuar dhe në rrezik", thotë Jonathan Lykes, bashkëthemelues i Projektit Black Youth 100.

Vdekja e George Floyd, në Mineapolis, u bë momenti kritik më i fundit për ata që thonë se policia në mënyrën e strukturuar aktualisht, është pjesë e problemit.

"Qysh në fillim ka qenë një sistem shtypës racor. Prandaj, për të patur ndryshim, ai duhet të shpërbëhet deri në fund dhe të rikrijohet dhe ristrukturohet që nga fillimi", thotë Andrea, një protestues.

Si përgjigje, qyteti Nju Jorkut ka miratuar një numër reformash, përfshirë masat për ndalimin e metodës së shtrëngimit të fytit dhe lejimin e njerëzve që të filmojnë aktivitetet e policisë.

Numri i oficerëve të rinj që do t’i bashkohen forcës gjithashtu do të zvogëlohet. Kryetari i bashkisë Bill de Blasio ka vendosur të shkurtojë fondet e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut me rreth një miliard dollarë dhe të rishpërndajë disa nga fondet për ndihmë sociale ndaj komunitetit.

Por disa ligjvënës vendas, kundërshtojnë kërkesat radikale siç është shpërndarja plotësisht e departamentit të policisë.

"Unë përfaqësoj një komunitet që ka një nivel të lartë të dhunës me armë, një nivel të lartë të aktivitetit të bandave. Pra, si mund t'u them unë të moshuarve në qarkun tim ose thjesht njujorkezëve të thjeshtë se ne nuk kemi nevojë për polici. Duhet të shpërndajmë të gjithë oficerët e policies dhe do të jemi në rregull, do tja dalim. Nuk mund t'ua them këtë as gjysmës së zgjedhësve të mi sepse kjo nuk është ajo që ata duan të shohin. Në fakt, disa prej tyre duan të shohin më shumë oficerë policie", thotë Alicka Ampry-Samuel, anëtar i Këshillit në zonën 41.

Për shumë oficerë në detyrë aktive në komunitete etnike të larmishme emigrantësh, policia në komunitet është një mënyrë më e mirë për të nxitur mirëkuptimin midis policisë dhe publikut.

"Si imigrant, shkon në komunitetin tënd dhe bisedon me të njëjtën gjuhë. Kështu që kur dikush bëhet viktimë e një krimi, dhe kur bisedon me viktimën në gjuhën e tij të nënës, është më e lehtë për viktimën të shpjegojë situatën për policinë”, thotë Ershad Siddique, nënpresident i shoqatës së policëve amerikano-bangladeshas.

Ndërsa kritikët e reformës thonë se masat e De Blasio janë të pamjaftueshme, sindikatat e policisë paralajmërojnë se zvogëlimi i fondeve do të krijojë sfida për zbatimin e ligjit dhe rendit. Por anëtarët e këshillit të qytetit thonë se reformat janë një hap përpara për të korrigjuar problemet e dhunës policore dhe racizmit që kanë krijuar mosbesim në komunitetet ku ata shërbejnë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG