Lidhje

Kryeministri i Etiopisë – fitues i çmimit Nobel për paqe


Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed u shpall fitues i çmimit Nobel për paqe për vitin 2019.

Komiteti norvegjez i Nobelit, tha se ky çmim ju nda kryeministri Abiy Ahmed Ali për shkak të përpjekjeve të tij për paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe posaçërisht për “nismën e tij vendimtare për zgjidhjen e konfliktit kufitar me Eritrenë fqinje”.

Etiopia dhe Eritrea, armiq të vjetër që ishin përfshirë në një luftë kufitare nga vitit 1998 deri në vitin 2000, rivendosën marrëdhënie në korrik të vitit 2008 pas shumë vjetësh armiqësie.

Abiy Ahmed 43 vjeçar është kryeministri më i ri në Afrikë. Çmimi prej 900 mijë koronash norvegjeze, afërsisht 900 mijë dollarë amerikan, do t’i dorëzohet atij në Oslo më 10 dhjetor.

Zyra e zotit Abiy e citoi atë të ketë thënë se “jemi krenar si komb” për çmimin e së premtes.

Çmimi Nobel është ndarë gjatë javës edhe për kategori të tjera dhe të enjten Akademia Suedeze nxiti reagime të ashpra me vendimin e saj që çmimin Nobel për letërsi për vitin 2019 t’ia ndajë autorit kundërthënës austriak Peter Handke, i cili qe bërë i njohur me qëndrimet e tij kundër fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe në vitin 1999, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Ai kishte mbajtur fjalim në mars të vitit 2006 në funeralin e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë, përfshirë edhe Kosovën.​

Çmimi Nobel mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga viti 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG