Lidhje

Dy shkencëtare ndajnë çmimin Nobel të kimisë


Shkencëtarja franceze Emmanuelle Charpentier dhe ajo amerikane, Jennifer A. Doudna, janë fituese të çmimit Nobel në fushën e kimisë, për krijimin e metodës së “korrigjimit të gjenomeve” CRISPR-Cas9 e njohur si “gërshëra molekulare”, që shton shpresat për shërimin e sëmundjeve gjenetike.

Fitueset u shpallën të mërkurën në Stokholm në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

"Ka një fuqi të madhe në këtë mjet gjenetik, i cili na prek të gjithëve", tha Claes Gustafsson, kryetar i Komitetit Nobel për Kiminë. "Ai jo vetëm që ka revolucionarizuar shkencën bazë… por do të çojë në trajtime të reja mjekësore", tha ai, duke nënvizuar se tani çdo gjenom mund të korrigjohet “për të riparuar dëmtimet gjenetike”.

Zoti Gusfafsson paralajmëroi se "fuqia e madhe e kësaj teknologjie nënkupton që ne duhet ta përdorim atë me shumë kujdes" por se "është po aq e qartë se kjo është një teknologji, një metodë që do t'i sigurojë njerëzimit mundësi të mëdha".

Çmimi prestigjioz përfshin një medalje të artë dhe një çmim prej 10 milion koronash (më shumë se 1,1 milion dollarë), në nderim të kujtimit të themeluesit të çmimit, shpikësit suedez Alfred Nobel, më shumë se një shekull më parë.

Të hënën çmimi Nobel për Mjekësinë i vitit 2020 iu dha shkencëtarëve Harvey J. Alter dhe Charles M. Rice nga Shtetet e Bashkuara dhe Michael Houghton nga Britania për "zbulimet e tyre thelbësore" në identifikimin e virusit të Hepatitit C.

Të martën tre shkencëtarë, Roger Penrose nga Britania, Reinhard Genzel nga Gjermania dhe Andrea Ghez nga Shtetet e Bashkuara morën çmimin Nobel në fizikë për gjetjet mbi vrimat e zeza.

Çmimet Nobel për letërsinë dhe për paqen do të shpallen këtë javë, ndërsa ai për shkencat ekonomike të hënën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG