Lidhje

Shënohet rasti i parë me korona virus në Maqedoninë e Veriut


Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut
Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut

Rasti i parë me koronavirus është regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimeve zyrtare bëhet fjalë për një grua e cila ishte kthyer para dhjetë ditësh nga Italia. Ajo ishte paraqitur në klinikën për sëmundje infektive në Shkup për të kërkuar ndihmë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u tha gazetarëve se pacientja e moshës 50 vjeçe ishte mjekuar në Itali por atje nuk i kishin bërë test për koronavirus.

“Ajo tashmë dy javë është e sëmurë, por nuk paraqet rrezik për ngjitjen e sëmundjes” tha ministri.

Ndërkaq, dy persona të tjerë të kthyer po ashtu nga Italia të cilët ishin drejtuar në klinikën e Shkupit kanë rezultuar negativë (pa koronavirus).

Autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa për parandalimin e këtij virusi, duke përgatitur një spital në qytetin e Shtipit për pranimin e rasteve të prekura. Maqedonia e Veriut nuk ka hapur karantina në dy aeroportet e saj as në pikë-kalimet kufitare për personat të cilët kthehen nga vendet ku janë regjisrtuar raste të vdekjeve nga virusi Kovid 19.

Vetëm në Itali vlerësohet se janë mbi 20 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut të angazhuar me punë.

Pasagjerëve të cilët kthehen në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit u kontrollohet vetëm temperatura me termometër. Ndërkaq, në barnatoret e kryeqytetit pothuaj se nuk kanë mbetur maska mjeksore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG