Lidhje

Votat numërohen ngadalë, palët pretendojnë fitoren


Ndikoi ardhja me vonesë e grupeve të numërimit.

Numërimi i votave po ecën ngadalë në Shqipëri, ndërsa forcat politike, që garuan të dielën për parlamentin e ri u bënë thirrje qytetarëve që të kenë durim deri në zbardhjen e rezultatit për parlamentin e ri, duke pretenduar njëlloj të dyja fitoren. Ndër shkaqet kryesore të vonesave mbi katër orë të fillimit të numërimit njoftohet se është ardhja me vonesë e grupeve të numërimit, dhe akreditimi i tyre nga KQZ. Kutitë kanë ardhur shumë shpejt nga qendrat e votimit në komisionet zonale dhe nga ora 20, numëruesit u bënë gati pas 4 ose 5 orësh vonesa boshe madje deri nga ora 3 e mëngjesit. Një pjesë e antarëve numërues janë ndryshuar dhe është dashur një kohë që numëruesit e rinj të trajnohen më mirë dhe të marrin certifikatat e përfaqësimit.

Tirana ka numëruar 38 kuti nga 1422 kuti votimi, Durrësi 5 nga 444 kuti, Dibra 18 nga 264 kuti, Elbasani ka numëruar 12 nga 540 kuti, Fieri 44 nga 578 kuti, Gjirokastra ka numëruar 6 nga 237 kuti me vota, Korça numëroi 55 nga 447 kuti, Shkodra 14 nga 417 kuti, Vlora 36 kuti nga 432, Berati numëroi 33 nga 302 kuti, Lezha numëroi 37 nga 258 kuti, Kukësi 24 nga 169 kuti me vota deri në orën 7 të mëngjesit. Të gjitha rezultatet janë me vonesë dhe shumica e numërimeve nuk kanë arritur as 10 për qind të votave të përgjithshme. Numërimet po bëhen me duar, sepse dështuan edhe eksperimentet për numërim elektronik së pari në Fier.

Sipas KQZ, pjesëmarrja e votuesve në shkallë kombëtare është rreth 53 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe e kanë regjistruar Dibra 70 për qind, Berati e Kukësi 58 për qind, Elbasani dhe Korça 53 për qind, Tirana 55 për qind, apo Gjirokastra e Lezha 50 për qind, dhe më pak Durrësi e Fieri 48 për qind dhe Shkodra e Vlora rreth 44 për qind. KQZ po përpunon pa ndalim të dhënat e pjesshme që shkojnë aty nga secila zonë, ku vazhdon numërimi.

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste pretenduan fitoren e këtyre zgjedhjeve dhe bënë thirrje për zbatimin e ligjit në dokumentimin e rezultateve. Gjatë gjithë ditës ata u bënë thirrje të vazhdueshme qytetarëve për pjesëmarrje sa më të madhe në votime. Kryeministri Berisha tha se “Partia Demokratike do të respektojë pa asnjë hezitim verdiktin e sovranit mbi rezultatin në këto zgjedhje”. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se e majta ka fituar zgjedhjet parlamentare. “Bazuar mbi të dhënat tona, Rilindja ka fituar mbi rrëninim. Aleanca për Shqipërinë Europiane realizoi objektivin e shpallur të mandateve” - tha ai.

Ndërsa kryesuesja e listës së deputetëve së PD-së për Tiranën, Majlinda Bregu, deklaroi se “duke rendur për të shpallur fitoren, Edi Rama konsolidoi disfatën e tij”. Sipas saj, të gjitha sondazhet tregojnë se qytetarët kanë votuar bindshëm për Aleancën e djathtë. “Zoti Rama ka pritur që të mos humbiste shumë thellë, por humbje spektakolare si këtë rradhë, nuk ka përjetuar asnjëherë” - tha zonja Bregu.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se opozita ka fituar, madje thellë. “Procesi mori shumë njolla, por Berisha nuk mund të imponojë vullnetin e tij. Natë e ditë do të numërojmë votat me qetësi dhe maturi, deri në votën e fundit, në kutitë që mbushi populli për të ndryshuar Shqipërinë” - tha ai.

Ndërkaq, drejtuesi i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Vollfarth, ftoi në mbrëmje ambasadorët e shteteve antare të OSBE-së në Tiranë si dhe diplomatë të tjerë, për të shkëmbyer mendime lidhur me procesin zgjedhor. Sipas një njoftimi të shkurtër zyrtar, në këtë takim morën pjesë edhe kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it Conny Mccormack, kryetari i misionit vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së Roberto Battelli, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Raporti i parë i vëzhguesve ndërkombëtarë pritet të dalë të hënën pasdite.


XS
SM
MD
LG