Zyrtarët e SHBA dhe të NATO-s thanë se numri i trupave amerikane në Afganistan është ulur në afro 8.600, shumë më herët se sa parashikohej në planin për të cilin ishte rënë dakord me militantët talibanë në fund të shkurtit, dhe kjo pjesërisht për shkak të shqetësimeve të koronavirusit.
Një dispozitë kryesore e marrëveshjes së 29 shkurtit midis Talibanëve
dhe Shteteve të Bashkuara, në të cilën qeveria afgane nuk ishte palë, përfshinte angazhimin amerikan për të ulur numrin e trupave në Afganistan nga rreth 13,000 në 8,600 deri në mes të korrikut dhe, nëse kushtet do ta lejonin, në zero deri në maj 2021.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushtet e anonimitetit, thanë se tani Shtetet e Bashkuara kanë afro 8,600 trupa.
"Për shkak të shqetësimeve të COVID-19, ne po shkojmë drejt tërheqjes së planifikuar më shpejt sesa ishte parashikuar", tha njëri nga zyrtarët.
Zyrtari tjetër amerikan tha se Shtetet e Bashkuara ishin përqendruar tek largimi i shpejtë i personelit jo të domosdoshëm dhe të atyre që konsiderohen me rrezik të lartë nga virusi.
Forcat amerikane ndodhen në Afganistan për operacione kundër kryengritësve. Disa mijëra ushtarë amerikanë punojnë me trupa nga 37 vende partnere të NATO-s për të trajnuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane.
Misioni i NATO-s në vend kishte gjithsej 16,551 trupa në muajin shkurt, sipas të dhënave zyrtare në faqen e saj të internetit.
Presidenti Trump të martën përsëriti dëshirën për një tërheqje të plotë ushtarake nga Afganistan por shtoi se nuk kishte caktuar ndonjë datë. Janë shprehur hamendje se ai mund ta bëjë pjesë të fushatës së tij për rizgjedhje dhënien fund të luftës në Afganistan, lufta më e gjatë e Amerikës në botë.
DILEMA E NATO-S
Talibanët, të cilët e sunduan Afganistanin me grusht të hekurt duke filluar nga viti 1996 e deri sa u përmbysën nga trupat e udhëhequra na SHBA në vitin 2001, janë përpjekur të rrëzojnë qeverinë e mbështetur nga perëndimi në Kabul dhe të rivendosin rendin islamik.
Ata e shikojnë qeverinë e Kabulit si një kukull të Shteteve të Bashkuara.
Tërheqja më e shpejtë se sa pritej e ka futur NATO-n në dilemën nëse duhet të shikojë mundësinë që të tërheqë një pjesë të trupave jo-amerikane nga Afganistani, sipas dy burimeve të NATO-s.
Talibanët kohët e fundit kanë shtuar sulmet në një numër provincash, edhe pse qeveria afgane ka liruar një pjesë të të burgosurve, në bazë të marrëveshjes amerikano-talebane të nënshkruar në Doha të Katarit.
Facebook Forum