Çdo pranverë, shumë shkolla të mesme në Shtetet e Bashkuara organizojnë ekskursione në mënyrë që nxënësit të mund të vizitojnë kryeqytetin e vendit. Megjithëse shkëputen nga shkolla, nxënësit kanë një shans për të marrë disa mësime praktike mbi historinë dhe qeverinë e vendit, si dhe një shans për të eksploruar shumë pamjet dhe pika tërheqëse që ofron Uashingtoni. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Markus Meyer-Gehlen bisedoi me një grup nxënësish nga shteti i Mizurit.
Është pranverë në Uashington DC. Këto ditë, pemët e qershive Yoshino me famë botërore janë në kulmin e lulëzimit.
Skena shumëngjyrëshe nuk tërheq vetëm turistët. Tradicionalisht, nxënësit grumbullohen në kryeqytetin e vendit - duke sjellë me vete edhe frymën e tyre shkollore.
Ndonjëherë, ata sjellin edhe muzikë. Nxënësit me grupin muzikor të shkollës në Kolumbia të Mizurit, janë këtu për të interpretuar.
"Kemi ardhur këtu për qëllime arsimore, pasi shumica e këtyre fëmijëve nuk kanë qenë kurrë në Uashington DC. Por, kemi ardhur edhe për të interpretuar në Memorialin e Marinës Amerikane", thotë Kim Foley, drejtuesja e grupit.
Grupi luan disa këngë, duke fituar vëmendjen e kalimtarëve aty pranë.
Adrian Maddox ka luajtur trumpetën për gjashtë vjet. Është hera e parë për maturanten në kryeqytetin e vendit.
"E dua Uashingtonin, i dua qytetet e mëdha. me të vërtetë bukur të dëgjosh për historinë e natyrës dhe se si çdo gjë merr kuptim së bashku, sepse vetëm kemi lexuar për këtë, kështu që është interesante". Dhe është shumë ndryshe nga vendlindja e saj, thotë ajo.
"Mizuri është shumë rural, ka kaq shumë qytete rurale, dhe ka vetëm tre qytete të mëdha, kështu që është krejtësisht ndryshe", thotë Adrian.
"Në Kolumbia ku jetojmë, nuk kemi një qytet të tillë. Qendra jonë është shumë e vogël në krahasim me këtë. Trafiku është shumë minimal në krahasim me këtu, kështu që fëmijët kanë shijuar cdo aspekt të Uashingtonit", thotë zonja Foley.
Ashtu si grupet e tjera, anëtarët e grupit të Shkollës së Mesme Battle vizituan gjithashtu vende si Varrezat Kombëtare në Arlington dhe disa nga muzetë e shumta të qytetit, përpara se të ktheheshin për në shtëpi.
Kjo traditë pranverore së shpejti do t'i japë rrugë një vale tjetër, kur të rinjtë pritet të vizitojnë Uashingtonin gjatë pushimit të tyre veror.
Facebook Forum