Lidhje

SHBA, Iran përgënjeshtrojnë NYT


Si Shtetet e Bashkuara, edhe Irani e kanë hedhur poshtë një njoftim të gazetës “The New York Times”, se të dy vendet kanë rënë dakord për herë të parë për bisedime të drejtpërdrejta mbi programin bërthamor të Iranit. Ministri i Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi tha sot në një konferencë shtypi se qeveria e tij nuk është përfshirë në bisedime të kësaj natyre me Washingtonin.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha dje vonë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punë me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermaninë për një zgjidhje diplomatike. Zëdhënësi tha se Presidenti Barak Obama e ka bërë të qartë se do të bëjë ç’është e mundur për ta parandaluar Iranin të zotërojë një armë bërthamore.

Duke cituar pa emër zyrtarë të administratës Obama, gazeta shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar kontakte sekrete intensive pothuajse që kur Barak Obama u zgjodh president në vitin 2009.

Në artikull thuhet se Irani do të presë deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara për të parë se me kë do të negociojë, me administratën e dytë Obama apo me administratën republikane të Mit Romnit, i cili e ka akuzuar zotin Obama se ka qenë e butë ndaj Iranit.
XS
SM
MD
LG