Lidhje

Presidenti Obama niset për në Azi


Ky udhëtim nënvizon fokusin e zotit Obama për Azinë, ndërsa ai përpiqet të përmbushë zotimin për të forcuar ekonominë amerikane

Presidenti Barack Obama u nis për në Azi, ku do të bëjë vizita në Tailandë, Birmani dhe Kamboxhia, udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që prej zgjedhjeve presidenciale.

Ky udhëtim nënvizon fokusin në rritje të zotit Obama për Azinë, ndërsa ai përpiqet të përmbushë zotimin e tij për të përforcuar ekonominë amerikane gjatë mandatit të dytë 4-vjeçar në detyrë. Administrata Obama ka thënë se politika e jashtme dhe angazhimi amerikan në të ardhmen do të përqëndrohet tek Azia.

Kur të mbërrijë nesër në Birmani, zoti Obama do të bëhet presidenti i parë amerikan, i cili viziton këtë vend, që ka dalë nga dekada të tëra të kontrollit të ashpër ushtarak. Kohët e fundit, qeveria birmaneze ka bërë lëshime përballë presionit të komunitetit ndërkombëtar dhe ka filluar zbatimin e reformave demokratike, por disa grupe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se Birmania nuk është ende një vend plotësisht i lirë.

Presidenti Obama do të takohet me Presidentin Thein Sein si dhe me Aung San Suu Kyi, aktivisten më të njohur për demokraci të vendit, e cila u lirua nga arresti shtëpiak në vitin 2010, pas gati 20 vjetësh. Suu Kyi fitoi çmimin Nobel të paqes në vitin 1991, por nuk u lejua deri këtë vit që të shkonte në Norvegji për ta marrë çmimin.
XS
SM
MD
LG