Lidhje

Obama: Më pak deportime


SHBA bëjnë ndryshime në politikën e imigracionit

Presidenti Barak Obama tha se vendimi i administratës së tij për të ndaluar deportimin e një kategorie të caktuar imigrantësh të cilët kanë ardhur në SHBA ilegalisht si fëmijë me prindërit, është “vendim i drejtë”.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se nuk ka kuptim të dëbohen njerëz të të rinj të talentuar, thjesht për shkak të veprimeve të prindërve të tyre ose për shkak të mosveprimit të politikanëve.

Zoti Obama i bëri komentet disa orë pasi Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Janet Napolitano, njoftoi ndryshimet në politikën e imigracionit. Sekretarja Napolitano tha se imigrantët në moshë të re, të cilët nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike dhe përmbushin disa kritere nuk do të deportohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kenë të drejtë të bëjnë kërkesë për leje pune.

Emigrantët të cilët kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara para moshës 16 vjeçare dhe kanë jetuar vazhdimisht në vend për të paktën pesë vjet, sipas këtij propozimi mund të mos deportohen. Ata nuk mund të kenë një histori kriminale, nuk duhet të jenë mbi moshën 30 vjeç, dhe duhet të jenë aktualisht në shkollë, ose të kenë diplomë të shkollës së mesme, apo të kenë shërbyer në ushtrinë amerikane.

Këta imigrantë të paligjshëm mund të aplikojnë për leje pune dyvjeçare, të cilën mund ta rinovojnë sa herë të duan. Nga këto ndryshime pritet të përfitojnë rreth 800 mijë imigrantë të paligjshëm.

Presidenti Obama tha se kjo nuk është amnisti dhe as një rrugë për të marrë shtetësinë, por një “masë e përkohshme”.
XS
SM
MD
LG