Lidhje

Obama: Republikanët po mbajnë peng ekonominë


Duke marrë parasysh mbylljen e pjesshme të qeverisë federale për shkak të debatiti në Kongres mbi ligjin e sigurimeve shëndetësore, Presidenti Barak Obama tha se republikanët po mbajnë peng amerikanët dhe ekonominë amerikane për arsye ideologjike.

Dita e parë e mbylljes së qeverisë përkoi me fillimin e shitjes së sigurimeve shëndetësore për miliona amerikanë të pasiguruar që ofron ligji i sigurimeve shëndetësore.

Republikanët nuk duan të financojnë ligjin e sigurimeve shëndetësore ose duan të shtyjnë zbatimin e një pjese të tij. Ata ia kanë ngjitur këto kërkesa projektligjit për financimin e operacioneve të qeverisë.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama u takua me qytetarë të cilët kanë blerë ose kanë në plan të blejnë sigurime shëndetësore. Më pas, ata dolën në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti Obama akuzoi republikanët se po e mbajnë peng qeverinë dhe ekonominë .

"Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan të financojnë qeverinë sepse ata duan të mos e financojnë ose ta eliminojnë ligjin e sigurimeve shëndetësore. Ata kanë mbyllur qeverinë në bazë të një kryqëzate ideologjike për t’i mohuar sigurimet shëndetësore me kosto të përballueshme miliona amerikanëve. Me fjalë të tjera, ata kërkuan shpërblim vetëm për të bërë punën e tyre."

Sipas ligjit të sigurimeve shëndetësore të presidentit Obama, kompanitë nuk mund t’u mohojnë sigurimin shëndetësor njerëzve në bazë të kushteve të tyre para- ekzistuese mjekësore, apo të imponojnë kufizime në mbulimin e tyre.
Duke filluar në vitin 2014, shumica e amerikanëve duhet të kenë sigurim shëndetësor ose do të paguajnë një gjobë, dhe deri në mars të vitit të ardhshëm ata duhet të regjistrohen për të blerë sigurime shëndetësore. Presidenti Obama e pranoi se ka vështirësi në zbatimin e ligjit të tij të sigurimeve shëndetësore, përfshirë edhe ngadalësimin e faqeve të internetit ku njerëzit mund të regjitstrohen për të blerë sigurime shëndetësore ndërkohë që miliona njerëz përpiqen të regjistrohen aty.

Duke thënë se mbyllja e qeverisë do të ketë efekte negative në rimëkëmbjen e ekonomisë, ai tha se mbetet i hapur për negociata rreth mënyrave për të përmirësuar ligjin e sigurimeve shëndetësore, por jo për eliminimin e tij.

"Unë do të punojë me të gjithë ata të cilët kanë ide serioze për përmirësimin e ligjit të sigurimeve shëndetësore. E kam thënë këtë vazhdimisht, por për sa kohë që unë jam president unë nuk do t’i pranojë kërkesat e papërgjegjshme të disa anëtarëve të partisë Republikane për t’i mohuar sigurimin shëndetësor me kosto të përballueshme miliona punëtorëve amerikanë. "

Por ngërçi politik vazhdoi në Kongres. Pasi Senati hodhi poshtë një kërkesë të Dhomës së Përfaqësusve për negociata mbi këtë çështje, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner shprehu zhgënjimin e tij.

"Ata madje nuk duan të ulen për ta diskutuar këtë çështje."

Përveç ndikimit në mbarë vendin, edhe Shtëpia e Bardhë është prekur nga mbyllja e qeverisë. Më shumë se 1 mijë anëtarë të stafit të saj janë në pushim pa pagesë, ashtu si 800 mijë punëtorë të tjerë të qeverisë federale.

Presidenti Obama të shtunën do të fillojë një turne një-javor në Azi, ku do të marrë pjesë në takimin e forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit dhe në takime të tjera.

Në Uashington pati spekulime se presidenti Obama mund të anulojë udhëtimin e tij në Azi për t’u marrë çështjen e mbylljes së qeverisë, por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se presidenti Obama ka ende në plan për të realizuar këtë udhëtim.
XS
SM
MD
LG