Lidhje

Obama fillon fushatë për rimëkëmbjen ekonomike


Presidenti mbajti një fjalim mbi planin e tij ekonomik para studentëve universitarë në Galesburg të Ilinoit

Presidenti Barak Obama mbajti mbrëmë fjalimin e parë në një seri fjalimesh të rëndësishme që synojnë të tërheqin vëmendjen mbi përpjekjet e administratës për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike.

Në një universitet në qytezën Galesburg të Ilinoit, Presidenti Obama u kujtoi amerikanëve se ai mbetet i angazhuar për të ndihmuar të varfrit dhe klasën e mesme të rimëkëmben:

“E vetmja gjë që më intereson është si të shfrytëzoj çdo minut të 1276 ditëve që i mbeten mandatit tim për të garantuar që ky vend funksionon përsëri për punonjësin amerikan”.

Ky është i pari ndër tre fjalime që do të mbajë këtë javë Presidenti lidhur me ekonominë. Këto janë përpjekjet më të freskëta të Shtëpisë së Bardhë për të rigjallëruar ekonominë. Zoti Obama akuzoi republikanët në Kongres se po pengojnë planet e tij ekonomike për arsye politike:

“Me këtë paradë të pafundme çorientuese, me skandale të sajuara, Uashingtoni ka humbur përqëndrimin nga tema parësore. Kam ardhur këtu për të thënë se këto gjëra duhet të marrin fund”.

Ashtu si në të kaluarën, Presidenti theksoi nevojën për përmirësime në infrastrukturë, kodin fiskal, sistemin e kredive për shtëpi, arsimin dhe pagat minimale, si dhe zbatimin e reformave të tij në sistemin e kujdesit shëndetësor, të cilin republikanët duan ta anulojnë.

Anketat tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar nga plogështia e ekonomisë.

Steve Bell kryeson studimet ekonomike në Qendrën e Politikave Dypartiake në Uashington:

“Afërsisht dy herë më shumë amerikanë mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, krahasuar me ata që e shohin pozitivisht situatën. Ka 6-7 vjet që vazhdon kjo gjendje”.

Zoti Bell thotë se amerikanët e shohin se rimëkëmbja e ngadaltë nuk po ndjehet nga klasa punëtore:

“Pak nga pak, amerikanët e ndjejnë në palcë se gjërat në komunitetet e tyre nuk po ecin mirë”.

Por ai shton se planet e presidentin hasin po aq rezistencë nga republikanët sa më parë. Para se Presidenti të mbante fjalimin, kreu i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell i hodhi poshtë planet e administratës.

“Kjo përbën një shpërdorim kolosal energjie dhe kohe – burime që mund t’i përdornim në bashkëpunim dypartiak në Kongres për të rritur ekonominë dhe për të hapur vende pune”.

Pavarësisht nga kundërshtitë, Presidenti shpreson të shtojë presionin e publikut mbi Kongresit për të ndalur përplasjet lidhur me taksat dhe politikat buxhetore gjatë muajve të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG