Lidhje

Obama për ndryshimet në shkurtimet buxhetore


Presidenti Barak Obama po i bën thirrje Kongresit për të bërë ndryshime në shkurtimet automatike të buxhetit, të njohur me termin "sekuestrim", "para se ato të shkaktojnë dëme të mëtejshme."

Sot, në fjalimin e tij të përjavshëm, zoti Obama tha se anëtarët e Kongresit më në fund do ta kuptojnë se nga shkurtimet do të preken edhe ata vetë, kur të shkojnë në shtëpitë e tyre për pushimin e fundjavës. Gjatë javës që po mbyllet nëpër aeroporte ka patur vonesa; shumë udhëtarë janë bllokuar për orë të tëra për shkak të shkurtimeve në personelin e kullave të kontrollit të trafikut ajror.

Zoti Obama tha se për shkak të atyre që ai i quajti "shkurtime të papeshuara", janë prekur udhëtarët, fëmijët janë përjashtuar nga disa programe arsimore dhe një numër familjesh ushtarake po detyrohen të përballen me trysni të reja edhe pse kanë sakrifikuar mjaft.

Në fjalimin në emër të republikanëve, Kongresmeni Bill Shuster argumentoi se Administrata Federale e Aviacionit mund t'i kishte shmangur vonesat në aeroporte duke shkurtuar shpenzimet diku tjetër dhe duke bërë ndryshime në oraret e punës të personelit, por qëllimisht nuk vendosi ta bëjë këtë. Sipas tij, disa në Shtëpinë e Bardhë mendojnë se dhimbja që do të shkaktojë kjo tek publiku do t'i japë presidentit një argument për të shmangur shkurtimet e shpenzimeve dhe për të imponuar rritjen e taksave mbi amerikanët.
XS
SM
MD
LG