Lidhje

Obama: Amerikanët votuan për vepra, jo politikë


Presidenti Obama tha në fjalimin e tij të parë të përjavshëm pas rizgjedhjes së tij, se populli amerikan dha një mesazh të qartë në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit. Ai tha se “Amerikanët votuan për veprime konkrete dhe jo si zakonisht për politikë”.

Presidenti tha se përparësia e administratës së tij ka për të qenë krijimi i vendeve të punës. Presidenti tha se nuk do të pranonte asnjë lloj zgjidhjeje për përmirësimin e ekonomisë pa balancimin e nevojshëm.

Zoti Obama tha se ai nuk do t’u kërkojë studentëve, të moshuarve dhe familjeve të shtresës së mesme të paguajnë për shlyrjen e të gjithë deficitit buxhetor, ndërsa familjeve që kanë të ardhura më tepër se 250 mijë dollarë në vit nuk u kërkohet të paguajnë as edhe një qindarkë më tepër taska.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha në fjalimin e përjavshëm të Partisë Republikane se kongresi nuk duhet të rrisë taksat, në të kundërtën, duhet të përpiqet për të përmirësuar boshllëqet në rregulloren e taksave. Presidenti Obama pritet të takohet javën e ardhshme me udhëheqësit e Kongresit.
XS
SM
MD
LG