Lidhje

Politika e jashtme e Presidentit Obama


Politika e jashtme e Presidentit Barak Obama është duke u kritikuar, jo vetëm nga ligjvënësit republikanë dhe ekspertët konservatorë, por edhe nga centristët të cilët e akuzojnë presidentin se po ndjek një qasje që ata e cilësojnë si të paqartë, të dobët, dhe izolacioniste. Të tjerë thonë se strategjia e presidentit është në përputhje me opinionin publik amerikan, i cili është formuar pas një angazhimi në luftra që kanë zgjatur për më shumë se një dekadë.

Tani që forcat e mbështetura nga Rusia po kontrollojnë disa pjesë të Ukrainës megjithë sanksionet amerikane, ndërkohë që Siria dhe Egjipti janë përfshirë në trazira dhe Kina forcon pretendimet e saj territoriale ndërkohë gjithashtu që procesi izraelito-palestinez i paqes është i bllokuar, politikat e jashtme të Presidentit Obama janë vënë në shënjestër.

Gjatë vizitës së fundit në Azi, zoti Obama u pyet se si do ta përcaktonte doktrinën e tij.

“Kritikat ndaj politikës sonë të jashtme janë drejtuar tek dështimi për të përdorur forcën ushtarake. Dhe pyetja që unë do të bëja është: përse të gjithë janë kaq të gatshëm të përdorin forcën ushtarake kur ne kaluam një dekadë në luftë me një kosto të madhe për trupat dhe buxhetin tonë?”

Jo të gjithë në Amerikë janë të zellshëm për përdorimin e forcës ushtarake. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve nuk e mbështesin dërgimin e trupave në konflikte të huaja.

Por shumë të tjerë kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të marrin rolin drejtues në zgjidhjen e krizave dhe nxitjen e demokracisë në botë.

Në fjalimin e tij të rëndësishëm në Kajro në vitin 2009, zoti Obama premtoi mbështetje për ndryshime demokratike në Lindjen e Mesme.

“Asnjë sistem qeverisës nuk mund dhe nuk duhet t’i imponohet një vendi nga një tjetër. Kjo megjithatë nuk e pakëson angazhimin tim ndaj qeverive që pasqyrojnë vullnetin e popullit.”

Më pas shpërtheu Pranvera Arabe. Egjipti dhe veçanërisht Siria u zhytën në kaos.

Në Siri, imazhi i administratës u dëmtua nga mosveprimi për të sulmuar qeverinë e Assadit pas kërcënimeve nëse ai do të përdorte lëndë kimike dhe nuk ka gjasa që SHBA të veprojnë tani.

Analisti Larry Korb.

"Kur Presidenti Obama sheh Sirinë thotë, Sa do të ishte kostoja? A do të na mirëpriste ne i gjithë populli sirian? Dikur, ne menduam se do të na mirëpriste populli irakian. Por në fakt nuk doli ashtu."

Megjithë shanset e pakta, administrate filloi një përpjekje tjetër për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por ajo nuk dha rezultat. Analisti Elliott Abrams.

“Mendoj se kishte një farë sensi se kjo duhej provuar. Energjia që ka investuar sekretari i shtetit Kerry është për t'u admiruar. Megjithëse më duhet të them se ishte gabim. Nuk është mirë për Shtetet e Bashkuara të dështojnë, asnjëherë dhe për asgjë, pasi kjo do të linte të kuptonte se njerëzit na sfidojnë ose nuk duan t’ja dinë për mendimin tonë.”

Por ndoshta rreziku më i madh –apo ndoshta shansi më i madh – është përpjekja e administratës Obama për të arritur një marrëveshje historike për ta ndaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore.

Presidenti bëri një premtim gjatë fushatës se do të tërhiqet nga konfliktet në botë dhe do të përqëndohet në forcimin e vendit. I mbetet tani historisë të gjykojë nëse kjo ishte strategjia e duhur.
XS
SM
MD
LG