Lidhje

Presidenti Obama përdor për herë të parë privilegjin ekzekutiv


Zoti Obama e përdori këtë autoritet para një votimi për mosrespektim të Kongresit nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, Eric Holder

Një komision i Kongresit votoi për ta akuzar Prokurorin e Përgjithshëm Eric Holder se ka treguar mungesë respekti ndaj Kongresit, pasi nuk ka dorëzuar dokumenta lidhur me një operacion të dështuar. Komisioni votoi i ndarë mbi baza partiake, me 23 republikanë pro dhe 17 demokratët kundër. Para votimit, Presidenti Barack Obama përdori dje për herë të parë privilegjin ekzekutiv, një pushtet i përdorur nga dega ekzekutive e qeverisë amerikane për të kthyer mbrapsht kërkesa për dokumenta apo për të hedhur poshtë kërkesa për dëshmi nga zyrtarë të lartë.

Presidenti Obama e përdori të drejtën për këtë veprim të rrallë në përgjigje të një kërkese të Prokurorit të Përgjithshëm Eric Holder që është përfshirë në një hetim 18 mujor të një operacioni të dështuar ku autoritetet amerikane lejuan që 2 mijë armë të shkonin nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë, si pjesë e përpjekjeve për të identifikuar dhe shpërbërë rrjete të trafikimit të armëve.

Sic u mor vesh më pas, dy nga armët ishin përdorur në vrasjen e një agjenti amerikan të rojës kufitare.

Zoti Holder, që drejton Departamentin e Drejtësisë I dorëzoi mbi 7 mijë dokumenta ligjvënësve dhe donte garanci se informacioni shtesë që ai mund të jepte do të plotësonte kushtet për të mos ta akuzuar për mosrespektim të Kongresit nga Komisioni për Mbikqyrje dhe Reformë qeveritare.

Zoti Holder dhe Kryetari Republikan I Komisionit Darrell Issa nuk arritën të gjenin një kompromis. Para votimit një debat i ashpër shpërtheu mes demokratëve dhe republikanëve.

“Ideja se mund të mos i japësh informacion dhe dokumenta Kongresit, pavarësisht nëse I takon partisë në pushtet ose jo është e gabuar. Respekti për shtetin ligjor duhet të ketë kuptim, pavarësisht nga ciklet politike”, tha anëtari demokrat I Kongresit Trey Gowdy.

“Dua t’i kërkoj ndjesë popullit amerikan për të një spektakël tjetër të një politike synimi I së cilës është të kapet kundërshtari në gabim, tha anëtarja demokrate nga Kalifornia, Jackie Speier.

Pas votimit në komision, Prokurori I Përgjithshëm Holder e akuzoi kryetarin e Komisionit Issa për taktika viti zgjedhor dhe se nuk kishte pranuar përpjekjet për “një zgjidhje të arsyeshme”. Ai tha se zoti Issa kishte vendosur të “përdorte autoritetin e tij për të ndërmarrë një veprim të jashtëzakonshëm, të pashembullt dhe krejtësisht të panevojshëm që kishte si synim të provokonte një konflikt të shmangshëm mes Kongresit dhe Degës Ekzekutive”.

Ruth Wedgwood është profesore e së drejtës në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-prokurore federale në New York. Ajo thotë se përplasjet për privilegjin ekzekutiv kanë të bëjnë me shqetësime për mundësinë e përdorimit “pa kufi” të autoritetit presidencial dhe shkaktojnë manovrime intensive mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.

"Kishte shqetësime se ndërhyrja e Shtëpisë së Bardhë në këtë çështje do të politizonte një gjykim që duhet të jetë parimor dhe i bazuar në shtetin ligjor. Por me Kongresin, mendoj se kjo kthehet në një betejë për të treguar se kush ka më shumë fuqi dhe kush ka kompetencat për mbikqyrje. Departamenti i Drejtësisë ka një histori të gjatë rezistence ndaj Kongresit për të hetuar çështje të veçanta, disa herë nga frika se ndërhyrja politike mund të vinte edhe nga ky institucion”.

Votimi për të akuzuar Prokurorin e Përgjithshëm Holder për mosrespektim të Kongresit e çon tani çështjen në Dhomën e Përfaqësuesve për votim. Udhëheqja e Dhomës së Përfaqësuesve nuk është e detyruar që të votojë.

Kushtetuta amerikane nuk i referohet drejtpërdrejt kompetencës së Presidentit për privilegj ekzekutiv por precedenti ligjor për përdorimin e këtij autoriteti është përcaktuar nga rastet e Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 1974, gjykata e lartë vendosi në kundërshtim me përdorimin e këtij privilegji për Presidentin Richard Nixon i cili argumentoi se inçizimet nga skandali Watergate nuk duhej t’u dorëzoheshin hetuesve të Kongresit.
XS
SM
MD
LG