Lidhje

Obama në Azi: Respektoni integritetin territoral


Presidenti amerikan Barack Obama bëri kritika të tjera të ashpra ndaj politikës së jashtme të Kinës, në përfundim të një terneu një javor në katër shtete aziatike. Filipinet dhe Japonia janë përfshirë në dy nga mosmarrëveshjet më të nxehta territoriale mes Kinës dhe vendeve fqinje.
Duke folur për trupat amerikane dhe ato të filipineve para se të largohej nga Manila, presidenti Obama përsëriti qendrimin e administratës së tij lidhur me pretendimet detare të Kinës.

“Ne besojmë se të gjitha vendet dhe popujt gëzojnë të drejtën të jetojnë në siguri dhe paqe dhe sovraniteti dhe integriteti territorial i tyre të respektohet. Ligji ndërkombëtar duhet të respektohet, liria detare duhet të ruhet dhe tregtia nuk duhet penguar. Besojmë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen paqësisht dhe të mos ketë frikësim apo pëdorim force.”

Komentet, ku nuk u përmend emri i Kinës, vijnë një ditë pasi Uashingtoni dhe Manila nënshkruan një marrëveshje mbrojtjeje për zgjerimin e pranisë amerikane në rajonin e Paqësorit.
Forcimi i marrëdhënieve ushtarake po shikohet gjerësisht si reagim ndaj Pekinit i cili është përfshirë në një mosmarrëveshje që po thellohet me Filipinet lidhur me territorin në Detin e Kinës Jugore.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, tha se qendrimi i zotit Obama se marrëveshja e re e sigurisë nuk ka për qëllim të “kundërshtojë apo kontrollojë” Kinën, do të varet nga ajo që Shtetet e Bashkuara thonë dhe bëjnë.

“Amerikanët, përfshi presidentin Obama, kanë thënë disa herë në raste të ndryshme se Uashingtoni nuk ka synime kundër Kinës dhe ne pajtohemi se Kina dhe SHBA ndajnë interesa të përbashkëta në çështjet e Azi-Paqësorit. Të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin dhe punojnë së bashku me vendet e tjera përkatëse në rajon për të përmirësuar paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe begatinë e rajonit.”

Agjencia kineze shtetërore e lajmeve Xinhua tha të henën se marrëveshja Amerikano-Filipinase është veçanërisht shqetësuese sepse mund të inkurajojë Manilën në marrëdhëniet me Pekinin dhe mund të ofrojë mbështetje amerikane për Filipinet në përballjen me Kinën.

Filipinet dhe Japonia janë përfshirë në dy nga mosmarrëveshjet më të nxehta territoriale mes Kinës dhe vendeve fqinje. Edhe vende të tjera aziatike e akuzojnë Kinën se po përdor fuqinë ushtarake në rritje për të frikësuar, kërcënuar apo marrë me forcë territoret e diskutuara.
XS
SM
MD
LG