Presidenti amerikan Barak Obama do t'u paraqesë sot ligjvënësve një raport lidhur me problemet e politikës së jashtme, duke filluar nga grupi Shteti Islamik e deri te rritja e Kinës në arenën ndërkombëtare.
Në dokumentin e Strategjisë të Sigurisë Kombëtare prej 33 faqesh nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në politikën e jashtme.
Disa ligjvënës republikanë e kanë kritikuar zotin Obama për atë që ata thonë se është një përgjigje e pamjaftueshme ndaj kërcënimeve globale, duke përfshirë grupin Shtetit Islamik dhe veprimet e Rusisë në Ukrainë.
Në një hyrje të shkurtër të raportit, Presidenti Obama mbron politikat e tij. Ai thotë se "Në këtë botë të ndërlikuar, për shumë nga problemet e sigurisë me të cilat përballemi nuk ka zgjidhje të shpejta e të lehta".
Ai rithekson rëndësinë e rolit udhëheqës amerikan në shekullin e 21 dhe thotë se SHBA do të vazhdojnë të luftojnë kundër ekstremistëve. Por ai paralajmëron gjithashtu që të mos humbet ekuilibri dhe që vendimet të mos merren bazuar tek frika.