Lidhje

Obama: Koha për reforma në imigracion


Presidenti Barack Obama i ka bërë përsëri thirrje Kongresit të miratojë reforma në sistemin e imigracionit. Presidenti Obama kërkon që ligjvënësit të veprojnë brenda këtij viti:

Presioni i ri nga presidenti për reforma në politikat e imigracionit filloi menjëherë pas kapërcimit të kërcënimit për krizë financiare dhe rihapjes së qeverisë.

Në qershor të këtij viti, Senati miratoi me 68 vota pro dhe 32 kundër një projekt-ligj të mbështetur nga zoti Obama. Por projekt-ligji nuk gjeti mbështetje në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

Kryetari i Dhomës John Boehner nuk ka përjashtuar mundësinë e vënies së projekt-ligjit në rendin e ditës së Dhomës së Përfaqësuesve për t’u hedhur në votë.

"Besoj se reforma e imigracionit është një temë e rëndësishme që duhet marrë në shqyrtim dhe kam shpresë se do të gjejmë zgjidhje”.

Në komentet dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama pohoi se ekzistojnë mospajtime të mëdha mes demokratëve dhe republikanëve. Por ai tha se reformat në sistemin e imigracionit do të ndihmonin rritjen ekonomike, do të ulnin deficitin dhe do të forconin sigurinë kombëtare.

"Populli amerikan e mbështet. Kjo ide nuk kundërshtohet, por mbështetet. Amerikanët e mbështesin, pasi të gjithë dalim të fituar nëse punojmë së bashku për ta realizuar. Nëse vërtetë ka ndonjë arsye të fortë për të mos e miratuar reformën, mua nuk më është thënë”.

Pjesa më e madhe e analistëve politikë thonë se nuk ka shumë gjasa që varianti i miratuar në Senat të përqafohet nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën variantin e tyre për reforma që kombinonte variantin e Senatit me një projekt-ligj për masa më të forta për kontrollin e kufijve, të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve gjatë këtij viti.

Por ata kundërshtojnë idenë e republikanëve për të hedhur në votë aspekte të ndryshme të reformës si ligje të veçanta, ndër të cilat edhe idenë që 11 milionë imigrantë të paligjshëm të kenë alternativën për të marrë shtetësinë amerikane.

Pas një beteje të ashpër politike lidhur me mbylljen e qeverisë federale, republikani Raul Labrador u shpreh se nuk mund t’i zinin besë Presidenti Obama në negociatat për reformat e imigracionit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se republikanët duhet të ndjekin shembullin e miratimit me frymë dypartiake të projekt-ligjit në Senat:

"Nuk ka lidhje mes programit për kujdesin shëndetësor dhe reformave në imigracion. Do t’u kujtoja kritikëve republikanë se në komunitete të ndryshme në të gjithë vendin ekziston një mbështetje e gjerë, po ashtu në komunitetin e biznesit, në grupe fetare dhe në përfaqësuesit e forcave të rendit. Po ashtu dua të vë në dukje se projekt-ligji në Senat u miratua me mbështetje të konsiderueshme nga republikanët”.

Presidenti Obama thotë se është i gatshëm të dëgjojë ide të reja për të ndrequr sistemin e imigracionit, po ashtu edhe për sugjerime për ndryshime dhe përmirësime në programin për kujdesin shëndetësor.

Projekt-ligji i miratuar nga Senati, përveç mundësisë për të marrë shtetësinë, përfshin edhe dispozita për forcimin e kontrollit kufitar, shtimin e numrit të vizave për punonjës të kualifikuar dhe verifikimin elektronik të statusit ligjor të punonjësve.
XS
SM
MD
LG