Lidhje

Obama: Presidenti përfaqëson të gjithë amerikanët


Presidenti Barack Obama bëri reagimin e tij të parë publik ndaj pikëpamjes së rivalit të tij republikan Mitt Romney se afro gjysma e votuesve amerikanë varen tek qeveria për të siguruar jetesën.

Zoti Obama e bëri reagimin e tij dje në mbrëmje në emisionin e njohur të drejtuar nga David Letterman në televizionin CBS.

“Nuk e di se kujt po i referohej zoti Romney por ajo që mund të them është se kur fitova në vitin 2008, 47 për qind e popullit amerikan votoi për John McCain dhe jo për mua. Natën e zgjedhjeve unë thashë se ‘megjithëse nuk votuat për mua, unë e dëgjoj zërin tuaj dhe do të punoj me të gjitha forcat që të jem presidenti juaj’. Dhe një nga gjërat që kam mësuar është se si president përfaqëson të gjithë vendin. Dhe kur takoj republikanë kur udhëtoj në gjithë vendin, ata janë njerëz që punojnë shumë që e duan shumë këtë vend. Dhe nga përvoja ime mund të them se nëse do që të jesh president duhet të punosh për të gjithë jo vetëm për disa”.

Në një video të xhiruar fshehtas që u bë publike të hënën, zoti Romney shfaqet duke u thënë donatorëve të fushatës së tij se 47 për qind e votuesve që mbështesin zotin Obama, nuk paguajnë taksa, por besojnë se kanë të drejtën të përfitojnë nga ndihma sociale.

Në një tubim fushate në Utah dje, zoti Romney shpjegoi se po përpiqej të bënte dallimin mes qëndrimeve të tij dhe të presidentit.

“Ai beson në një Amerikë që ka në qendër qeverinë, ku qeveria merr gjithnjë e më shumë dhe ia jep atyre që beson se kanë nevojë për ndihmë. Ne të gjithë besojmë se kur njerëzit janë në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë, ne i mbështesim përkohësisht. Ne i ndihmojmë të rimëkëmben por nuk besojmë tek rishpërndarja e pasurisë”.

Pasi videoja u shfaq, zoti Romney e pranoi se nuk ishte shprehur me elegancë.

Zoti Obama e gjeti veten në një situatë të ngjashme në fushatën e vitit 2008 për president, kur ishte xhiruar fshehtas në një aktivitet privat dhuruesish ku thoshte se votuesit e bardhë të zonave të largëta, të zemëruar nga problemet e tyre, gjejnë ngushëllim “tek armët apo feja”.

Zoti Romney është kritikuar ashpër për një sërë hapash të gabuar ditët e fundit, përfshirë përgjigjen ndaj protestave anti-amerikane në Egjipt dhe sulmin vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Libi. Mbështetja e zotit Romney mes votuesve ka filluar të bjerë në krahasim me zotin Obama në të gjithë vendin dhe në disa shtete ku votat elektorale janë kritike për secilën nga fushatat.

XS
SM
MD
LG