Presidenti amerikan Barack Obama thotë se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një ekip në Nigeri, përfshirë ekspertë të zbulimit dhe zbatimit të ligjit, për të ndihmuar në shpëtimin e më tepër se 200 vazjava të rrëmbyera nga militantët islamikë.
Në një intervistë për televizionin ABC, presidenti tha se mundet që kjo ngjarje ta mobilizojë botën të bëjë diçka kundër grupit Boko Haram.
"Duket qartë, që kjo është një situatë e dhimbshme, mizore. Në Nigeri vepron organizata më e egër terroriste rajonale dhe lokale, Boko Haram. Ata vrasin njerëz pa mëshirë prej shumë vitesh dhe ne kemi kërkuar më shumë bashkëpunim me nigerianët. Ky mund të jetë rasti që ndihmon për të mobilizuar të gjithë komunitetin ndërkombëtar, që më në fund të bëjë diçka kundër kësaj organizate të egër, që ka kryer një krim kaq të tmerrshëm."
Boko Haram mori përgjegjësinë për rrëmbimin e më tepër se 300 vajzave, nxënëse shkolle, muajin e kaluar në qytetin Chibok. Disa mundën të shpëtojnë, por ende nuk u dihet fati 276 vajzave të tjera.
Udhëheqësi i Boko Haram-it, Abubaker Shekau publikoi dje një video, ku merrte përgjegjësinë për rrëmbimet dhe premtonte se do t'i shiste vajzat si skllave.
Sipas njoftimeve të pakonfirmuara, disa nga vajzat janë "martuar" me rrëmbyesit, ndërsa të tjerat mund të jenë çuar jashtë vendit, në Kamerun, ose Çad.
Ndërkohë, banorët e fshatit të Warabe në pjesën veriore të Nigerisë thonë se persona të armatosur hynë përsëri me forcë të dielën në fshat dhe rrëmbyen 8 vajza. Ata po ashtu vodhën ushqime dhe bagëti.
Boko Haram do të thotë "Civilizimi perëndimor është mëkat", në gjuhën Hausa. Grupi ka vrarë mijëra vetë, në përpjekje për krijimin e një shteti konservator islamik në veri të Nigerisë. Një zëdhënëse e shefes për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara Navi Pillay thotë se rrëmbyesit mund të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit, nëse realizojnë kërcënimin e tyre për shitjen e vajzave të rrëmbyera.