Lidhje

Obama: CIA ka torturuar disa njerëz


Presidenti Barack Obama pranoi të premten se Shtetet e Bashkuara "kanë torturuar disa njerëz", pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, por i paralajmëroi që njerëzit nuk duhet të nxitohen me gjykime.

Zoti Obama pranoi se agjentët amerikanë të zbulimit kanë bërë veprime që binin në kundërshtim me vlerat amerikane, por shtoi se zyrtarët e sigurisë nuk e dinin në se një sulm tjetër terrorist ndaj SHBA do të ndodhte menjëherë dhe se ata ishin nën një presion të jashtëzakonshëm.

Presidenti i kërkoi amerikanëve të mos jenë shumë "moralizues" sot lidhur me situatën që ekzistonte në vitin 2001.

Zoti Obama foli ndërsa pritet që përfundimet e një raporti të Senatit amerikan të bëhen të vlefshme për publikun. Në raport bëhet fjalë me sa duket mbi trajtimin e ashpër të të dyshuarve për terrorizëm nga CIA, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

CIA është akuzuar prej kohësh për praktika brutale dhe tortura në zbatimin e atyre që ajo i ka quajtur "teknika intensive të të marrit në pyetje".

Zoti Obama i ndaloi këto veprime pasi erdhi në pushtet në vitin 2009, por ka shmangur përdorimin e fjalës "torturë".

XS
SM
MD
LG