Lidhje

Presidenti kthehet në Uashington për bisedimet mbi katastrofën fiskale


Disa analistë thonë se ende ka kohë për arritjen e marrëveshjes

Presidenti Barak Obama dhe anëtarë të Kongresit i kanë pezulluar pushimet e fund-vitit dhe po kthehen në Uashington për të rifilluar negociatat, me qëllim shmangien e katastrofës fiskale. Shumë veta i druhen dëmit që mund t’i shkaktojë ekonomisë ky ballafaqim mes forcave kryesore politike.

Presidenti Obama i ndërpreu pushimet në Havai për t’u kthyer në Uashington me shpresën për një marrëveshje të minutës së fundit me republikanët para 1 janarit.

Me ndërrimin e viteve hyjnë në fuqi rritje taksash për të gjithë amerikanët si dhe aktivizohen mbi 500 miliardë dollarë shkurtime në shpenzimet publike. Analistët thonë se shoku që do të shkaktojnë këto masa mund ta shtyjë ekonominë amerikane përsëri në recesion.

Analisti Peter Cardillo thotë se ende ka kohë për arritjen e marrëveshjes:

“Nuk ka dyshim që do të ketë marrëveshje, por e kemi të gjithë të qartë që nuk ka mbetur shumë kohë dhe jemi në ato ethet e minutave të fundit të ndeshjes. Shtëpia e Bardhë e të gjithë të tjerët me radhë duan të tregojnë që po bëjnë diçka”.

Por edhe nëse arrihet marrëveshja para afatit final, disa biznese shprehen se kjo gjendje e paqartë ka dëmtuar entuziazmin e blerësve në sezonin e festave.

“Është e qartë që shqetësime të tilla, për rritje taksash e skenare të tjera, i kanë bërë njerëzit të rezervohen në shpenzime”.

Nuk është vetëm pasiguria për katastrofën fiskale që mund të dëmtojë optimizmin e konsumatorëve. Analistët thonë se uragani Sandy dhe tragjedia në Njutaun të shtetit Konektikat e kanë zymtuar atmosferën festive.

Peter Cardillo thotë se luhatjet në tregjet financiare janë një pasqyrë e mirë e klimës ekonomike në vend:

“Tregu është në atmosferë zymtësie një ditë dhe optimizmi një ditë tjetër. Si gjithmonë tregu i përgjigjet atmosferës së përgjithshme në vend”.

Shifrat e reja tregojnë se shpenzimet e konsumatorëve gjatë sezonit të festave u rritën më pak se 1 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është rritja më e dobët që nga viti 2008 dhe shumë më e dobët se parashikimet fillestare prej 3-4 për qind. Shpenzimet e konsumatorëve janë barometër i rëndësishëm ekonomik, pasi përfaqësojnë rreth 70 për qind të aktivitetit të përgjithshëm ekonomik në Shtetet e Bashkuara. Shitësit me pakicë thonë se vëllimi i biznesit gjatë sezonit të fundvitit përfaqëson deri në 40 për qind të fitimeve të përgjithshme vjetore për këtë sektor.

XS
SM
MD
LG