Lidhje

Presidenti Obama flet para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Presidenti amerikan Barak Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar Iranin të zotërojë armë bërthamore.

Presidenti amerikan Barak Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar Iranin të zotërojë armë bërthamore. Presidenti Obama foli sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku dënoi gjithashtu dhunën që u përhap kohët e fundit në vendet myslimane, si reagim ndaj një videoje që vinte në lojë profetin Muhamed.

Në fjalimin para udhëheqësve botërorë, Presidenti Obama tha se Iranit ka "ende kohë dhe hapësirë" për të negociuar mbi programin e tij bërthamor, por ai shtoi se "ajo kohë nuk është e pakufizuar."

“Të jetë e qartë: një Iran me armë bërthamore nuk është një kërcënim që mund të kontrollohet. Do të kërcënonte eliminimin e Izraelit, sigurinë e vendeve të Gjirit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë botërore.”

Zoti Obama, në fjalimin e tij, dënoi dhunën që u përhap kohët e fundit në vendet myslimane, si pasojë e filmit të publikuar në internet.

“Nuk ka fjalë që mund të justifikojnë vrasjen e personave të pafajshëm. Nuk ka video që mund të justifikojë një sulm kundër një ambasade. Nuk ka sharje që paraqet justifikim që njerëzit të djegin një restorant në Liban, apo të shkatërrojnë një shkollë në Tunis, apo të shkaktojnë vdekje dhe shkatërrime në Pakistan.”

Presidenti amerikan e filloi fjalimin e tij duke i bërë homazh ambasadorit amerikan në Libi, Chris Stevens që ishte njëri nga amerikanët që u vra nga dhuna në Bengazi. Presidenti Obama tha se ambasadori mishëronte më të mirën e Amerikës dhe theksoi se sulmi ndaj amerikanëve në Libi ishte sulm ndaj Amerikës.

Zoti Obama u shpreh edhe në lidhje me konfliktin në Siri midis forcave kryengritëse dhe Presidentit të vendit Bashar al-Assad.

“Në Siri e ardhmja nmuk duhet t’i takojë një diktatori që masakron popullin e tij. Nëse ka një çështje për të cilën duhet të protestohet sot në botë, është një regjim që torturon fëmijët dhe hedh raketa në godina me apartamente. Dhe ne duhet të vazhdojmë angazhimin për të garantuar që ajo që filloi si lëvizje qytetarësh për të drejtat e tyre të mos përfundojë në një cikël dhune sektare”.

Presidenti Obama do të qëndrojë shkurtimisht në New York për Asamblenë e OKB-së dhe nuk do të ketë takime të veçanta me udhëheqës botërorë, pasi i rikthehet fushatës presidenciale. Ai flet sot edhe në takimin e Nismës Globale Clinton të ish-Presidentit Bill Clinton.
XS
SM
MD
LG