Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama pranoi se votimi i djeshëm konfirmon se njerëzit janë të zhgënjyer me ekonominë. Në komentet e para publike të bëra pas zgjedhjeve të djeshme për Kongresin, në të cilat demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Obama tha se po kërkon të gjejë pika të përbashkëta me republikanët dhe bëri thirrje për konsensus.
Presidenti Obama tha se u kishte telefonuar udhëheqësve republikanë të Kongresit, duke përfshirë zotin Bejnër, kryetarin e pritshëm të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilëve u kishte thënë se pret të bashkëpunojë me ta.
Ai e quajti rezultatin e zgjedhjeve të djeshme pasojë të zhgënjimit të njerëzve me hapin e ngadaltë të rimëkëmbjes ekonomike dhe me nivelin e lartë të papunësisë.
Presidenti Obama tha se njerëzit nuk presin që zyrtarët e zgjedhur të zgjidhin të gjitha problemet, por ata duan që zëri i tyre të dëgjohet. Njerëzit, tha ai, presin që zyrtarët e zgjedhur në Uashington të punojnë për ta dhe jo kundër tyre. Nuk ka dyshim, theksoi Presidenti, se shqetësimi numër një i njerëzve është ekonomia.
Ai i bëri komentet sot, një ditë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në të cilat Partia Republikane fitoi kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Kongresi i ri e fillon punën në janar.
Presidenti Obama tha se populli amerikan dëshiron të reformojë mënyrën se si punon Uashingtoni dhe të ketë një qeveri më të hapur dhe më transparente.
Presidenti mori në mbrojtje përpjekjet e administratës së tij sidomos miratimin këtë vit të reformës për kujdesin shëndetësor, e cila hasi në kundërshtimin e fortë të republikanëve.
Presidenti Obama tha se ka disa aspekte politike ku administratës do t’i duhet të punojë më mirë dhe se po kërkon të gjejë pika të përbashkëta me republikanët. Ai tha se do të përpiqet për të arritur konsensus në realizimin e punëve që ka përpara.
Presidenti e pranoi se amerikanët mund t’i kenë parë politikat e tij për bankat, industrinë e automobilëve dhe rimëkëmbjen ekonomike si një ndërhyrje të tepruar të qeverisë. Këto vendime, tha ai, u morën për shkak të natyrës urgjente të situatës, kur disa institucione financiare ishin në prag të shembjes dhe kur vendi rrezikonte të rrëshqiste në një tjetër krizë si Depresioni i Madh.
Lidhur me kërcënimin e republikanëve për të ngadalësuar zbatimin e reformës së kujdesit shëndetësor, zoti Obama la të kuptohet se të dyja palët duhet të bisedojnë rreth dispozitave konkrete që shqetësojnë republikanët. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve në Uashington të bisedojnë me mendje të hapur dhe pranoi se pa mbështetjen republikane, do të jetë i vështirë realizimi i planeve të tij. Por ai shfaqi shpresën se të dyja palët do të arrijnë të punojnë së bashku.