Lidhje

Pres. Obama, thirrje për zhvillimin e vaksinave për Zikën


Presidenti Barack Obama ka bërë thirrje për zhvillimin e shpejtë të analizave, vaksinave dhe trajtimeve për virusin Zika, që ka infektuar njerëz në më shumë se 20 vende të Amerikës Veriore dhe asaj Jugore.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama do të takohet me këshilltarët e lartë të shëndetësisë, për të diskutuar mbi përhapjen e virusit të bartur nga mushkonjat dhe për ndikimet në rajon.

Shefja e Organizatës Botërore të Shëndetit thotë se sëmundja e shkaktuar nga virusi Zika që përhapet nga mushkonjat, ka simptoma të ngjashme me gripin dhe mund të përhapet edhe më tej në kontinetin amerikan. Virusi tropikal fajësohet si shkaktar i defekteve serioze tek fetusi, prandaj shumë qeveri po paralajmërojnë gratë që të shmangin shtatzaninë gjatë dy viteve të ardhëshme.

Një laborator në Rio de Janeriro po ofron analiza të shpejta për zbulimin e virusit Zika që shkakton mikrocefalinë, ose përmasa jo normale të të kafkës së foshnjes. Brazili është goditur rëndë nga ky virus. OBSH ka regjistruar rreth 4 mijë raste ose 30 herë më shumë se çdo vit që nga 2010-ta. Marco Collovati merret me analizat laboratorike.

“Situata është alarmuese dhe emergjente. Jo vetëm për Brazilin por për të gjitha shtetet e prekura nga globalizimi dhe nga rritjet e temperaturave si rezultat i klimës.”

Vetem analizat e gjakut nuk e zbulojnë virusin. Laboratori Sangue Bom kombinon simptomat e pacientit me analizat e gjakut për të bërë diagnostikimin. Ja si shprehet Marco Collovati me laboratorin Sangue Bom:

“Kemi një brez të goditur nga mikrocefalia që u duhet të kalojnë jetën me problemet që sjell kjo sëmundje, siç është ngadalësimi në zhvillimin mendor dhe fizik.”

Daniela Alves de Jesus është 21 vjeçare e prekur kohët e fundit nga Zika. Ajo ka ardhur në laborator për një tjetër vizitë.

“Nuk ngrihem dot. Nuk ha dot pa ndihmën e dikujt. Më ushqente vëllai. E kam të vështirë të kap lugën sepse kam dhimbje.”

Drejtoresha e OBSH-së Margaret Chan thotë se sëmundja dhe virusi mund të përhapen tek të gjitha vendet e kontinentit përveç Kanadasë dhe Kilit.

“Përhapja shpërthyese e virusit Zika në vende të tjera, ku popullatat kanë imunitet të vogël, është një shkak për shqetësim, kryesisht kur flitet për infektim gjatë shtatëzanisë dhe bebet e lindura me kokë të vogël.”

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë konfirmuan të martën se një person në Virxhinia doli pozitiv pas analizës për virusin, por theksuan se nuk ka rrezik për përhapjen e tij, meqë në zonë nuk është periudha e mushkonjave.

Të mërkurën një spital në Danimarkë tha se një turist që kishte udhëtuar në Amerikën Jugore dhe atë Qendrore, doli se ishte i prekur nga virusi.

Shumë vende kanë paralajmëruar gratë të shmangin shtatzanitë për dy vitet e ardhëshme. Nga ana e saj, zonja Chen thekson se nuk është provuar ende lidhja shkak-pasojë mes virusit Zika dhe mikrocefalisë.

Virusi i Zikës që shkaktohet nga mushkonjat, u identifikua për herë të pare në Uganda në vitin 1947. Sipas të dhënave, ai qarkullon në Afrikë, kontinentin amerikan dhe Azi. Rreth 20 për qind e të infektuarve, sëmuren prej tij. Efektet më të shpeshta janë temperaturë e lartë, kruarje, dhimbje kyçesh dhe sy të skuqur. Sëmundja zgjat nga 2 deri në shtatë ditë. Vdekjet nga kjo sëmundje janë të rralla. Nuk ekziston ndonjë vaksinë ose kurë për të dhe mënyra më efikase e parandalimit është që të parandalohen pickimet e mushkonjave.

XS
SM
MD
LG