Lidhje

Obama, në mbrojtje të politikave të debatueshme


Skandalet dhe çështjet e tjera të debatueshme kanë thelluar edhe më shumë polarizimin politik

Kanë kaluar 5 muaj që kur Presidenti Barack Obama bëri betimin për mandatin e tij të dytë 4 vjeçar mes shumë shpresave nga përkrahësit e tij demokratë. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, ajo frymë shprese dhe parashikimesh u venit shumë shpejt nën hijen e skandaleve, politikave të debatueshëm dhe realitetit të vështirë politik në një Uashington të përçarë.

Presidenti Obama e gjen veten këto ditë në pozita mbrojtëse, dhe më së fundi lidhur me njoftimet mbi programet sekrete anti-terroriste të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Presidenti u pyet rreth këtyre programeve gjatë vizitës së tij të fundit në Evropë.

“Kam besimin se mund të arrijmë balancën e duhur për t’i mbajtur njerëzit të sigurtë si dhe për të mbrojtur liritë civile në këtë epokë të Internetit”, tha ai.

Debatet lidhur me programet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, që grumbullojnë të dhëna të gjithanshme rreth komunikimeve në telefon dhe në Internet janë më të fundit në një seri shpërqëndrimesh të mëdha politike për administratën e presidentit Obama.

Administrata ishte hedhur edhe më parë në pozita mbrojtëse lidhur me akuzat se agjencia e taksave kishte vënë në shënjestër grupe konservatore që kërkonin statusin e përjashtimit nga pagimi i taksave.

Ndërkohë republikanët vazhdojnë t’i bëjnë presion administratës rreth mënyrës se si e trajtoi sulmin e 11 shtatorit të vitit të kaluar ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.

Skandali i agjencisë së taksave, ka rigjallërur konservatorët si senatori republikan, Ted Cruz nga Teksasi, i cili foli në një manifestimit të kohëve të fundit të grupit Tea Party.

“Kemi të bëjmë me shpërdorim pushteti. Praktikat e agjencisë së taksave i përshtaten formave të administratës së presidentit Obama të abuzimit të pushtetit qeveritar dhe mungesës së transparencës me popullin amerikan rreth këtyre praktikave”.

Analisti Stuart Rothenberg tha për Zërin e Amerikës se skandalet që kanë përfshirë Shtëpinë e Bardhë po e pengojnë presidentin Obama që të zbatojë rendin e tij të ditës në çështjet e brendshme.

“Gjithë toni dhe substanca e mbulimit të medias ka ndryshuar. Bëhet fjalë se çfarë dinte Shtëpia e Bardhë dhe çfarë bëri qeveria. A është qeveria shumë e madhe apo shumë e rrezikshme? Këto debate përputhen me kritikat e republikanëve. Prandaj unë mendoj se presidenti po përballet me probleme, jo ai personalisht, por administrata e tij. Të gjitha këto zhvillime bëjnë që vemendja e tyre të shpërqëndrohet dhe kjo u jep me të vërtetë republikanëve një mundësi që të kritikojnë dhe sulmojnë”.

Skandale dhe çështje të debatueshme, që kanë mbizotëruar në Uashington gjatë muajve të fundit kanë përforcuar edhe më shumë polarizimin politik, që është intensifikuar në kryeqytetin amerikan gjatë viteve të fundit dhe e kanë bërë edhe më të vështirë për presidentin që të sigurojë miratimin e axhendës së tij në Kongresin e përçarë.

John Fortier, ekspert në Qendrën e Politikave Ndërpartiake, thotë se shpesh presidentët në mandatin e dytë e përqëndrojnë vemendjen tek politika e jashtme kur politika e tyre e brendshme përballet me vështirësi në Kongres.

“Shpesh presidentët në mandatin e dytë përqëndrohen më shumë tek politika e jashtme dhe kjo sepse Kongresi dhe partia në opozitë e bëjnë më të vështirë për Shtëpinë e Bardhë që të marrë miratimin e Kongresit për çështje të politikës së brendshme. Presidentët në mandatin e dytë kanë më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare dhe ata përpiqen të lenë një trashëgimi”.

Këto çështje kontradiktore mund të rëndojnë mbi presidentin. Disa anketa kombëtare të opinionit tregojnë se mbështetja për zotin Obama ka rënë gjatë javëve të fundit. Anketa më e fundit e rrjetit televiziv CNN tregon se mbështetja për presidentin ka rënë në 45 për qind krahasuar me 53 për qind muajin e kaluar.
XS
SM
MD
LG