Lidhje

OBSH bën thirrje për zbutjen e pasojave të alkoolit


Organizata Botërore e Shëndetësisë po u bën thirrje vendeve të marrin masa për të ulur pasojat negative të alkoolit, të cilat shkaktojnë 3.3 milionë viktima çdo vit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur se përdorimi i tepruar i pijeve alkoolike është shkaktari i 6 për qind të vdekjeve në gjithë botën, ose një vdekje në çdo 10 sekonda.

Sipas raportit, konssumimi i alkoolit shton rrezikun e prekjes nga mbi 200 sëmundje, përfshirë cerozën e mëlçisë dhe disa lloje kanceri. Në raport, për herë të parë OBSH-ja e lidh përdorimin e alkoolit edhe me shtimin e rrezikut të prekjes nga sëmundje infektive si turbekulozi, pneumonia dhe HIV-i.

Zyrtari i lartë i OBSH-së, Shekhar Saxena thotë se organizata është e shqetësuar nga prirja e përhapur gjatë viteve të fundit, që të rinj të moshës 16 deri 19 vjeçare, mblidhen për të pirë pa kriter në raste episodike.

“Sipas raportit, në mbarë botën 16 për qind e konsumuesve të alkoolit mbi moshën 15 vjeçare, marrin pjesë në pirjen pa kriter, e cila është më e dëmshme se të tjerat, pasi shkakton më shumë aksidente, dëmtime të vetë atij që pi, apo të të tjerëve. Vendet me të ardhura më të larta kanë edhe konsumimin më të lartë për frymë të alkoolit dhe rastet më të larta të të pirit pa kriter.”

Raporti po ashtu ve në dukje se mesatarisht çdo njeri mbi moshën 15 vjeçare konsumon 6.2 litra alkool në vit, por po të kihet parasysh se vetëm 50 për qind e popullsisë konsumon alkool, shifra është në fakt 17 litra alkool të fortë çdo vit.

Raporti arrin në përfundimin se pirja e alkoolit po shtohet mes grave dhe kjo përbën shqetësim pasi gjendja e tyre shëndetësore mund të preket më lehtë nga sëmundje të lidhura me alkoolin se sa burrat. Niveli më i lartë i vdekjeve që lidhem me alkoolin gjendjet në Evropë, pasuar nga rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe nga kontinenti Amerikan.

Në nivel global, Evropa është rajoni me konsumimin më të madh të alkoolit, veçanërisht Evropa qendrore dhe lindore, e pasuar nga kontinenti Amerikan dhe nga Afrika. Në raport thuhet se Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Moldavia dhe disa vendet të tjera fqinje, kanë nivele shumë të larta konsumimi të alkoolit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje vendeve të forcojnë masat për mbrojtjen e banorëve nga pasojat e dëmshme të alkoolit. Ndër masat e sugjeruara janë shtimi i taksave të pijeve alkoolike, rritja moshës që lejohet pirja e alkoolit dhe vendosja e rregullave më të forta për tregëtimin e pijeve alkoolike.
XS
SM
MD
LG