Lidhje

OBSH: Rritje rekord e infektimeve të reja me COVID-19, por më pak vdekje


Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë

GJENEVË - Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se një rekord prej 9.5 milionë infektimesh nga COVID-19 u numëruan gjatë javës së fundit, ndërsa varianti Omikron i koronavirusit ka përfshirë planetin. Kjo është një rritje me 71% krahasuar me periudhën e mëparshme 7-ditore, rritje të cilën OBSH-ja e krahasoi me një cunami. Megjithatë, numri javor i vdekjeve të regjistruara vazhdoi të bjerë.

"Javën e kaluar, u raportua numri më i lartë i rasteve me COVID-19 deri në këtë pikë të pandemisë", tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai tha se OBSH-ja është e sigurtë se edhe kjo shifër duhet të jetë më e lartë, për shkak të ngarkesës së madhe në testime gjatë festave të fundvitit.

Në raportin e saj të përjavshëm për pandeminë, agjensia tha se shifra javore e rasteve të reja të infektimit arrit në 9.520.488, me 41.178 vdekje të regjistruara javën e kaluar, përkundër 44.680 në javën pararendëse.

Zyrtarët e OKB-së kanë vënë në dukje prej kohësh një boshllëk ndërmjet numërimit të rasteve të reja të infektimit dhe vdekjeve, pasi të dhënat për vdekjet shpesh përditësohen me dy javë vonesë. Megjithatë, ata kanë shtuar se për disa arsye - ndër to rritja e nivelit të vaksinimit në disa vende, dhe treguesit se Omicron prek hundën dhe grykën më shumë se mushkëritë - varianti Omicron nuk duket të jetë aq vdekjeprurës sa varianti pararendës Delta.

Rritjet e mundshme të shtrimeve në spital apo vdekjeve si pasojë e valës më të fundit, ka gjasa të fillojnë të reflektohen pas rreth dy javësh.

Megjithëse varianti Omicron duket më pak i rëndë se Delta, në veçanti në radhët e të vaksinuarve, kreu i OBSH-së paralajmëroi: "Kjo nuk do të thotë se duhet karakterizuar si i lehtë. Ashtu si variantet e mëparshëm, Omicron po dërgon njerëzit në spitale dhe po u merr jetën".

"Në fakt cunami i rasteve të reja është aq i madh dhe i shpejtë, sa që po mbingarkon sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën", tha ai gjatë një seance të rregullt informimi.

OBSH-ja tha se rritja e rasteve të reja gjatë javës së fundit varion, si p.sh. dyfish në rajonin e Amerikave, por me një rritje vetëm 7% në Afrikë.

Kreu i emergjencave në OBSH, Dr. Michael Ryan, tha se spekullimi që Omicron mund të jetë varianti i fundit i pandemisë është "një dëshirë e mirë" dhe paralajmëroi se: "Ka ende shumë energji ky virus".

Drejtuesja teknike në OBSH për COVID-19ën, Maria Van Kerkhove, tha: "Mendoj se ka shumë pak gjasa që Omicron të jetë varianti i fundit për të cilin do të na dëgjoni të flasim".

Zyrtarët e OBSH-së i bënë thirrje publikut të shtojë përpjekjet për të luftuar pandeminë, si vaksinimin e duhur, ventilimin e mjediseve të mbyllura, ruajtjen e distancës së duhur fizike dhe mbajtjen e maskave në mënyrën e duhur.

"Më trondit mënyra se si njerëzit i mbajnë realisht maskat", tha zonja Van Kerkhove.

"Mbajtja e një maske nën mjekër nuk ka vlerë. Dhe të jep një ndjenjë fiktive sigurie se ke diçka që të mbron. Nuk ju mbron kështu... Pra, po ju kërkojmë të gjithëve të bëni pjesën tuaj".


Gjithashtu, dr. Ryan tha se bashkëpunimi i OBSH-së me Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe me Kinën, organizatorja e Lojërave Dimërore 2022, i ka krijuar atij besimin se masat që kanë marrë organizatorët e lojërave janë "shumë strikte dhe shumë të forta".

"Në këtë kontekst nuk shohim në këtë pikë ndonjë rrezik të shtuar për transmetimin e sëmundjes", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG