Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkoi Shqipërisë që të forcojë punën për parandalimin e sëmundjeve, krahas përpjekjeve për të reformuar sistemin shëndetësor.
Drejtoresha rajonale për Europën e OBSH, Suzana Jakab, deklaroi në Tiranë se Europa ka mbi 10 vjet që ka lënë pas dore parandalimin, i cili është në fakt qëllim kryesor. Si rezultat i këtij nënvlerësimi, Europa po përballet me një peshë të madhe të sëmundjeve kronike dhe jo të transmetueshme - këto shkaktojnë 77 për qind të vdekjeve në Europë dhe 86 për qind të barrës së sëmundjeve.
“Për të ulur këtë barrë sëmundjesh dhe këtë numër të lartë vdekjesh, - tha ajo - OBSH po punon shumë që të nxitë parandalimin e tyre dhe përmirësimin e shërbimit shëndetësor”. Zonja Jakab tha se mënyra më e mirë që Shqipëria dhe Europa të shmangin sëmundjet dhe vdekjet është që t’i parandalojnë ato. Sipas saj, nga sëmundjet e transmetueshme, numri i të prekurve me HIV AIDS është duke u rritur në Europë; tuberkulozi po bëhet rezistent ndaj barnave; kërcënim është për të gjithë rritja e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve.
“Ndërmjet shumë çështjeve të tjera, - tha zonja Jakab - është edhe eleminimi i fruthit dhe rubeolës. Gjithë vendet e Europës duhet të bëjnë programin e imunizimit nga këto sëmundje po aq mirë sa edhe Shqipëria. Për fat të keq, në shumë shtete europiane po shtohen lëvizjet kundër vaksinimit, ndaj OBSH po e përdor vaksinimet e rregullta të Shqipërisë si një model për ato vende që kanë mbetur prapa, që e nënvlerësojnë ose që kanë dyshime”.
OBSH ka hartuar strategjinë e re të Europës “Shëndeti 2020” e cila kërkon që 1) të përmirësohet gjendja shëndetësore e popullatës, 2) të ulet pabarazia e qytetarëve në marrjen e shërbimeve shëndetësore dhe 3) të përmirësohet shërbimi parësor publik. OBSH do ta financojë Shqipërinë në trajtimin e aksidenteve rrugore, ku shifrat janë shumë të larta, si edhe në fusha të tjera që përmirësojnë shërbimin parësor dhe barazinë në mjekime, bëri të ditur përfaqësuesja e saj për Europën. Sipas saj, Shqipëria duhet të punojë fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve dhe informimin e qytetarëve për sëmundjet. Mjekimi i tyre më pas është vetëm riparimi i dëmeve, që është shumë i kushtueshëm.
Organizata të tjera pohojnë se, përveç reformimit, sfida e vërtetë e sistemit shëndetësor shqiptar është korrupsioni. Sipas organizatës Transparency International, qytetarët deklarojnë një perceptim të lartë të korrupsionit në spitale, ndërsa doktorët i renditin të parët në listën e më shumë të korruptuarve, krahas doganiervëve, gjyqtarëve dhe taksambledhësve.