Lidhje

Tiranë: Mirëkuptim për reformën në drejtësi


Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi arriti mirëkuptimim për të kaluar në seanca parlamentare gjashtë ligje, që formojnë institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë.

Ligji i përzgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve u miratua seancën e kaluar vetëm me votat e shumicës, pas bojkotit të opozitës.

Nënkryetari opozitar i komisionit, Oerd Bylykbashi, tha pas mbledhjes se u ra dakord që 3 nga ligjet të kalojnë për shqyrtim në seancë parlamentare më 22 shtator dhe 3 të tjera më 29 shtator.

Sipas tij, sot u zhvillua një diskutim i frytshëm dhe u mbajt një parashtrim i shkurtër mbi ligjet e radhës në reformimin e drejtësisë.

Zoti Bylykbashi theksoi se projektligjet që po diskutohen nuk pengojnë zbatimin e ligjit të përzgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Socialistët ranë dakord në mbledhje që t'i jepet më shumë kohë opozitës për të parë më me kujdes ligjet dhe që mendimet e saj të dëgjohen në fund të diskutimit.

Sipas deputetit Pandeli Majko, në mbledhjen e shkurtër pati një mirëkuptim për ecurinë e procesit.

Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, tha pas mbledhjes se ka shumë rëndësi që kjo frymë mirëkuptimi, që u pa sot, të përcillet edhe gjatë seancave të parlamentit për të çuar deri në fund procesin ligjor të reformës dhe për të nisur zbatimin e saj.

XS
SM
MD
LG