Lidhje

Felps fiton medaljen e artë në 200 m stil i përzjerë


Në një ditë tjetër rekordesh në Lojrat Olimpike, notari amerikan Majkëll Felps shënoi një rekord të ri medaljesh, ndërsa Gebi Dagllas bëhet afrikano-amerikania e parë që fiton medaljen e artë në gjimnastikë.

Felps fitoi medaljen e artë në garën e 200 metërshit, stil i përzjerë, duke u bërë notari i parë në historinë e lojrave olimpike që fiton këtë garë tri herë radhazi. Ai mundi rivalin e tij kryesor, notarin tjetër amerikan, Rajan Llakti, i cili mban aktualisht rekordin botëror në këtë garë. Kjo ishte medalja e 20-të olimpike e Felpsit. Ai vendosi rekordin si atleti më i dekoruar në historinë e Lojrave Olimpike para kësaj gare këtë javë.

Po ashtu dje, gjimnastja amerikane Gebi Dagllas fitoi medaljen e artë ndaj dy ruseve, Viktoria Komova, e cila fitoi medaljen e argjendë dhe Alija Mustafina, e cila fitoi medaljen e bronxit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u ngrit në këmbë me grushtet lart, kur Tagir Kaibulajev fitoi medaljen e artë në finalen e xhudos për meshkuj, duke mundur rivalin e tij mongolez.

Në basketboll për meshkuj, Franca mundi Lituaninë, Australia Kinën, Argjentina Tunizinë dhe Rusia Brazilin.

Medalje të arta fituan dje Britania e Madhe në çiklizëm, qitje dhe kanotazh; Kina në ping-pong, Koreja e Jugut në shigjetë dhe skermë, ndërsa Afrika e Jugut në garat me varka.

Deri tani Shtetet e Bashkuara udhëheqësin me 37 medalje. Kina pason me 34, Japonia është e treta me 19, e ndjekur nga Gjermania dhe Rusia me 17 secila dhe pas tyre vjen Franca me 16 medalje.

Garat e shumëpritura të atletikës së lehtë fillojnë sot.
XS
SM
MD
LG