Lidhje

Njohjet në internet


10 deri 15 vjet më parë, njohjet në internet ishin diçka tepër e re për të qënë të pranueshme nga shoqëria. Tani, është krejtësisht ndryshe. Kjo është bërë një mjet i përhapur për kërkimin e një partneri apo partnereje. Por, ndryshe nga takimet tradicionale, gjatë të cilave njerëzit mësojnë ngadalë fakte të ndryshme në lidhje me njëri-tjetrin, njohjet në internet përfshijnë marrjen e një game të gjerë informacioni rreth partnerëve të mundshëm qysh përpara – duke lënë një pjesë të madhe të fateve romantike në duart e një algoritmi matematikor.

Mario, kohët e fundit, u zhvendos në Baltimorë. Kur shokët e tij i dhanë një abonim falas në një faqe takimesh në internet, ai mendonte se e dinte saktësisht se çfarë kërkonte.

"Një jo-amerikane, jo shkencëtare, asnjë lidhje me latinishten. Përfundova me dikë krejtësisht të kundërt."

Sipas një thënieje të vjetër, "të kundërtat tërhiqen". Por kompanitë e njohjeve në internet thonë se nuk ndodh kështu. Sa më të ngjashëm të jenë dy njerëz, thonë ata, aq më të shumta janë gjasat që ata të ndërtojnë një marrëdhënie të qëndrueshme.
Një nga faqet më të mëdha të njohjeve në internet, eHarmony, ka më shumë se 400 pyetje për klientët e saj, përpara se një algoritëm matematikor sekret t’i vendosë në kontakt me persona që ata mund të pëlqejnë. Gian Gonzaga, drejtor i kërkimeve i kompanisë, foli me ne përmes Skypit.

"Ne themi se të kundërtit tërhiqen por më vonë kanë probleme. Nuk është se duhet të jesh i ngjashëm në gjithçka. Mjafton vetëm të jesh në ato gjëra që janë të rëndësishme."

Psikologu Makon Fardis, i cili merret me çifte gjatë seancave të tij këshilluese, nuk u beson shumë algoritmave matematikorë, sepse ai thotë se vetëm 7 për qind e njerëzve thonë të vërtetën, kur përshkruajnë veten.

"Edhe nëse nuk kërkohet të gënjehet në mënyrë të ndërgjegjshme, personi që ne mendojmë se jemi është ndryshe nga kush ne jemi në të vërtetë. Ka shumë raste çiftesh që në shkrime apo në internet duket sikur janë shumë të përshtatshëm dhe me mundësi të mëdha për të pëlqyer njëri-tjetrin, por, kur takohen kjo nuk ndodh."

Megjithatë – ju kujtohet gruaja që pamë së bashku me Marion më parë? Ajo është Tamara, të cilën ai e njohu në internet. Ajo ka patur disa shqetësime rreth takimeve në internet, por pa edhe anët pozitive.

"Njëra prej tyre është se takon shumë njerëz dhe disa janë persona që nuk mund të takoheshin rastësisht. Gjëja tjetër është se, nëse personi nuk përshtatet, sistemi ta bën të lehtë të thuash që nuk është tamam çka dua për veten dhe të vazhdosh më tej."

Në fillim, Mario ishte i shqetësuar se Tamara ishte tepër e ngjashme me të. Por, ai sugjeroi që ata të takoheshin për kafe.

"Por më pas ajo porositi një pije dhe pastaj një tjetër pije. Dhe ajo tha të merrnim diçka për të ngrënë. Unë pranova."

"Ishte shumë e natyrshme dhe ne vetëm flisnim gjatë gjithë kohës. Vetëm pesë orë më vonë ne shkuam për darkë."


"Patjetër që do ta rekomandoja një gjë të tillë për miqtë e mi."

Edhe pse studimet shkencore ende nuk u besojnë shumë algoritmeve të takimeve në internet, studime të tjera tregojnë se 20 për qind e çifteve të martuara kohët e fundit, janë njohur përmes atyre shërbimeve.

Edhe nëse njohjet në internet mund të jetë versioni i shekullit të 21-të i martesave me ndërhyrje, për Marion dhe Tamarën ishte diçka që funksionoi.
XS
SM
MD
LG