Lidhje

Kosovë: Festivali ndërkombëtar i operës ‘Ramë Lahaj’


Kosovë: Festivali ndërkombëtar i operës ‘Ramë Lahaj’
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Me një koncert në sheshin Skënderbej në Prishtinë u përmbyll të shtunën mbrëma festivali i parë operistik në Kosovë “Ramë Lahaj International Opera Festival”.

Tenori shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj, i tha Zërit të Amerikës se synim i këtij festivali është mbështetja e të rinjve të talentuar të Kosovës, mundësitë e të cilëve aktualisht janë të kufizuara.

“Kuptohet që ne nuk kemi akoma mundësi të udhëtojmë diku ku mund të bëjmë audicion për një bursë apo për një shkollë. Kështu që përmes festivalit po provojmë të krijojmë edhe një fondacion i cili do t’i ndihmojë studentët edhe në aspektin material sepse është një shkollim goxha i kushtueshëm dhe ne e dimë që ende jemi një vend i varfër. Në këtë drejtim ne tashmë do t’i ndajmë dy bursa, jemi duke i mbledhur fondet për to, janë dy fëmijë që duhet mbështetur patjetër”, tha ai.

Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ende nuk ka teatër të operës.

Në këtë vend në vitin 2006 kishin nisur punimet për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, themelet e të cilit nuk u hodhën kurrë.

Ditë më parë parlamenti miratoi propozim vendimin për themelimin e Institucionit të Operës së Kosovës, por ky institucion ende nuk ka një objekt.

Zoti Lahaj thotë se festivali shkon në funksion të themelimit të Institutit të Operës dhe zhvillimit të tij.

“Ishte momenti, ose unë e ndjeja të tillë që të kthehem në Prishtinë, të kthehem në atdhe për të kontribuar pak ose shumë, aq sa unë mundem në këtë periudhë për gjeneratat e reja dhe aq më shumë tash që po pretendohet të themelohet institucioni i operas. Ky institucion është shumë specifik dhe unë besoj se ka nevojë për investim në ndërtimin e kuadrove dhe të ndihmohen ato që janë në arritjen e një kondicioni ose standardi që e kërkon vet institucioni”, thotë ai.

Në koncertin e së shtunës mbrëma morën pjesë edhe baritoni italian, Simone Piazzola dhe sopranoja kroate, Lana Kos. Ata thanë se është emocion i posaçëm paraqitja para publikut të Kosovës dhe shpresojnë të rikthehen për çdo vit në këtë festival.

“Për mënyrën se si ka shkuar deri tash ky festival do të zgjasë për shumë kohë, do të ketë histori të gjatë. Ndërsa unë shpresoj se do të mund të rikthehem edhe në të ardhmen meqë më ka bërë përshtypje shumë vendi dhe njerëzit këtu që janë shumë të ngrohtë e mirëpritës”, thotë baritoni Piazzola.

“Është nder i madh për mua të jem në vendlindjen e mikut tim të madh Ramë Lahaj, si dhe të interpretoj pas kaq shumë kohësh që fatkeqësisht siç e dini të gjithë këngëtarët dhe artistët në botë nuk kishin mundësi të intepretojnë. Prandaj është nder e privilegj i madh për mua, jam e nderuar dhe shumë e emocionuar, besoj që ky emocion përcillet te publiku kaq i ngrohtë këtu”, thotë sopranoja Lana Kos.

Dirigjenti italian, Antonello Allemandi, tha se puna me Filarmoninë e Kosovës ishte e lehtë ndërsa e vlerësoi festivalin si ngjarje shumë të rëndësishme kulturore për vendin.

“Sipas meje është e mrekullueshme meqë ky është një vend që duhet të rilind me entuziazëm pas shumë viteve të vështira që ka përjetuar, prandaj është një festival shumë i rëndësishëm për kulturën që mund të sjellë vetëm gjëra të bukura”, thotë ai.

Në vitin 2019 u mbajt për herë të parë koncerti “Ramë Lahaj and friends”, i cili u shndërrua në festivalin e parë operistik të këtij viti.

XS
SM
MD
LG