Lidhje

Shpallen në kërkim 3 ish-drejtues policie


Ministria e brendshme bëri sot zyrtarisht të ditur se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) mori nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg”.

Urdhër-ndalimi është nxjerrë për Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Një tjetër urdhër ndalimi ishte për Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Personi i tretë, për të cilin ka një vendim gjykate në mungesë për “Arrest në Burg”, është Sokol Bode, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, i pezulluar nga detyra në datë 25 Tetor 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

“Megjithë kontrollet e ushtruara në banesa dhe vendet ku dyshohej se mund të strehoheshin personat e mësipërm, nuk është bërë e mundur gjetja dhe ndalimi i tyre. Nga kontrolli në banesa dhe ambjente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda” - theksohet në njoftimin e ministrisë së brendshme.

Tashmë të tre ish-zyrtarët janë shpallur në kërkim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Për ngjarjen reagoi sot edhe opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se operacioni u dekonspirua.

Ai deklaroi se ngjarjet e 24 orëve të fundit treguan qartë “policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama duhet të largohet nga pushteti, sepse ka lejuar gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë, duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë per krimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG