Lidhje

Opozita në Kosovë kërkon seancë të jashtëzakonshme për bisedimet Prishtinë-Beograd


Opozita në Kosovë kërkon seancë të jashtëzakonshme për bisedimet Prishtinë-Beograd
Opozita në Kosovë kërkon seancë të jashtëzakonshme për bisedimet Prishtinë-Beograd

Kryesia e Parlamentit të Kosovës pritet që të shqyrtojë kërkesën e përfaqësuesve të partive në opozitë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të debatohet për marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Përfaqësuesit e tri partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë bërë të ditur se kanë mbledhur dyzet nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës. Ata thonë se qeveria dhe udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, e kanë për detyrë që të raportojnë në Parlament, lidhur me përmbajtjet e marrëveshjeve.

“Për ne kanë qenë bisedime jo transparente dhe absolutisht jashtë opinionit publik, prandaj nuk është vonë, ne po kërkojmë të dimë se çfarë është arrit”, tha Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Konsiderojmë se këto marrëveshje janë tepër të rëndësishme për Kosovën, kanë të bëjnë me fatin tonë dhe të qytetarëve të Kosovës dhe si të tilla konsiderojmë që Qeveria e Kosovës e ka për obligim edhe ligjor edhe kushtetues por edhe moral që ti informoj deputetët e Republikës së Kosovës, por po ashtu edhe qytetarët e Kosovës për ato se çfarë përmbajnë këto marrëveshje dhe të raportoj për to”, tha Visar Ymeri, shef i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kuvendi është populli i Kosovës, Kuvendi është përfaqësuesi i popullit dhe jo dikush tjetër dhe çfarëdo biseda, apo marrëveshjeve që bëhet në emër të popullit të Kosovës nuk do të bëjnë pa e ditur populli i Kosovës. Kjo është ajo që ne po e themi sot, përkundër faktit se edhe pjesa dërmuese e popullit të Kosovës nuk ka ndjenja të mira për këto çështje, përkundër faktit se janë shumë lehtë të shpjegueshme të gjitha këto elemente të marrëveshjeve si kthim mbrapa për Kosovën”, tha Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, u bëri thirrje partive në opozitë që të mendojnë për interesat e shtetit, pasi që sipas tij, marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve.

“I bëjë thirrje opozitës le të mendoj pozitivisht, le të mendoj për interesat e vendit, jo për interesat partiake. Me këto çështje nuk guxon askush të pretendoj mirëpo as të mendoj që të përfitoj poena politik sepse këto janë çështje të ndjeshme, që me një mendim apo veprim tonin negativ, dëmtohen interesat e shtetit tonë”, tha zoti Grabovci.

Javën që lamë pas, Kosova e Serbia arritën marrëveshjet e para për çështje praktike të interesit të ndërsjellë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Palët kanë arritur marrëveshje në fushën e regjistrave civil, lirisë së lëvizjes dhe njohjes së ndërsjellë të diplomave shkollore e universitare. Marrëveshjet e arritura pritet të fillojnë së zbatuari që nga 1 nëntori i këtij viti. Këto janë marrëveshjet e para që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG