Lidhje

Referendumi hungarez kundër migrantëve


Me mbylljen e votimeve në referendumin e djeshëm hungarez, pjesmarrja dukej se ishte më e vogël se 50 përqind, minimumi i duhur që votimet të cilësohen të vlefshme. Zyrtarët e partisë në pushtet megjithatë e përshëndeten votimin duke e quajtur “fitore për popullin”. Sipas të dhënave paraprake nga komisioni zgjedhor në Hungari, rreth 98 përqind e votuesve kanë hedhur poshtë kuotat e Bashkimit Evropian për migrantët në këtë referendum të mbështetur nga kryeministri Viktor Orban. Por disa analistë thonë se votimi është një kujtesë e zymtë lidhur me shkallëzimin e prirjeve kundër migrantëve.

Shumë prej hungarezëve që morën pjesë në referndum u thanë jo refugjatëve dhe migrantë në vendin e tyre.

Disa votues kujtojnë se si në vjeshtën e një viti më parë shumë emigrantë ngritën kampe me çadra. Ja ç’thotë Szucs Istvanne.

“Votova kundër imigrantëve. Kemi plot njerëz këtu ndaj bota të na falë. Nuk jemi vend që urrejmë të huajtë, por ky vend duhet të lihet të vendosë vetë.”

Në bazë të planit të Bashkimit Evropian, Hungaria duhet të pranojë 1,300 nga 160 mijë azil kërkues të bllokuar në Itali dhe Greqi. Gjatë gjithë ditës, qeveria u telefonoi, dërgoi mesazhe dhe emaile votuesve duke u kërkuar atyre të votonin kundër. Udhëheqësit lokalë thanë se vota ishte kritike për të mbrojtur vendin. Csanyi Laszlo është zëvendës kryebashkiak i qytetit Morahalm.

“Qyteti ynë ishte i përfshirë për dhjetë muaj në krizën e migrantëve vitin e shkuar. Të gjitha hapësirat tona të bukura publike u pushtuan nga këta migratë. Ata ndërtuan strehimore, lanë mbeturina kudo dhe në fund njerëzit nuk ndiheshin të sigurtë.”

Në një kamp pranë kufirit të Hungarisë me Serbinë vështirë se mund të shihet ndonjë refugjat apo migrant. Rojet thonë se rreth 100 të ndaluar pritet të deportohen.

Disa analistë thonë se fakti që numri i paktë i azil kërkuesve në Hungari është një përparësi kryesore plitike, tregon se ai vend ka probleme të tjera. Goran Buldioski është bashkëdrejtues i Nismës së Shoqërisë së Hapur për Evropën.

“Migrimi nuk ka qënë çështje ndërsa është sjellë si një çështje kryesore, vetë referendumi dhe zhvillimi i tij janë tregues të rënies së standarteve demokratike në vend.”

Ndërsa pritet rezultati zyrtar, ai thotë se ngritja e politikanëve të ekstremit të djathtë në pjesë të tjera të Evropës, ksenefobia mes popullsive dhe rënia e fuqisë së Bashkimit Evropian është një shqetësim në rritje për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG