Lidhje

Organizata "Freedom House" publikon raportin e vitit 2011 për vendet në tranzicion


Organizata "Freedom House" publikon raportin e vitit 2011 për vendet në tranzicion
Organizata "Freedom House" publikon raportin e vitit 2011 për vendet në tranzicion

Organizata Freedom House, e cila mbështet ndryshimet demokratike, monitoron gjendjen e lirisë dhe mbështet demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën, publikoi raportin e vitit 2011 për vendet në tranzicion. Një nga përfundimet e raportit është se ndërsa vende si Kroacia dhe Serbia kanë vazhduar të bëjnë përparim gradual në reformave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, disa vende ballkanike, si Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shënuar hapa prapa përsa i përket disa kritereve të nevojshme në rrugën drejt anëtarësimit.

Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se vendi nuk mundi të fillojë negociatat për statusin e vendit kandidat në BE, ngaqë nuk arriti të përmbushë disa përparësi të nevojshme për një vend demokratik. Pengesë në këtë aspekt, thuhet në raport, u bë kriza e vazhdueshme politike lidhur me hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009.

Në raport thuhet se një arritje për Shqipërinë ishte dhënia për qytetarët e saj e lirisë së lëvizjes pa viza në vendet e BE-së. Por raporti thekson se klima e politizuar pas zgjedhjeve të vitit 2009 vazhdoi të ndikojë në agjendën politike të Shqipërisë në vitin 2010. Në raport thuhet se garantimi i sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit mbeti një sfidë për Shqipërinë: reforma juridike vazhdon të mbetet e papërfunduar dhe nuk është bërë përparim në rishikimin e disa prej ligjeve më të rëndësishme. Miratimi i këtyre ligjeve, nënvizon raporti, u ndikua rëndë nga mungesa e pranisë në Parlament të Partisë Socialiste.

Përsa i përket medias Freedom House thotë ato kanë përparuar përsa i përket teknologjisë, por karakterizohen nga mungesa e transparencës dhe varësia e gazetarëve tek pronarët e tyre. Ndërsa për i përket korruspionit në raport thuhet se ai vazhdon të mbizotërojë në të gjithë sektorët e jerës në Shqipëri, duke ndikuar negativisht tek zhvillimi ekonomik i vendi dhe konsolidimi i institucioneve demokratike edhe pse gjatë vitit 2010 pati përpjekje pozitive për përfundimin e legjislacionit për të luftuar korrupsionin, dhe nga Inspektoratit i Lartë i Deklarimit të Pasurive.

Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se kandidatura e Shqipërisë për në BE do të rishqyrtohet në vitin 2011 dhe përparësia e vendosur nga BE për vendin janë dialogu mes klasës politike për miratimin e ligjeve të mbetura pezull dhe që kërkojnë bashkëpunimin mes palëve.

Raporti i Freedom House për Kosovën

Në kapitullin për Kosovën, Organizata Freedom House thotë se arritja më e madhe e vendit në vitin 2010 ishte vazhdimi i zbatimit të paketës së decentralizimit, që çoi në krijimin e 4 zonave me shumicë serbe. Pjesëmarrja masive e serbëve në zgjedhjet lokale të vitit 2010 në zonën e Parteshit, tregoi se serbët po fillojnë të përfshihen në institucionet e vendit.

Në raport thuhet se shteti i Kosovës ndërhyn tek media publike, duke mos zbatuar klauzolat kushtetuese që garantojnë lirinë e medias dhe atë të shprehjes, si dhe ushtron presion ndaj medias private. Shpesh gazetarët dhe gazetat e përdishme janë pre e kërcënimeve.

Përsa i përket zbatimit të ligjit raporti nënvizon se megjithëse Gjykata Kushtetuese mori një vendim të fuqishëm dhe të pavarur për ekskluzivitetin e Presidentit, që çoi në dorëheqjen e Presidentit Fatmir Sejdiu nga posti i presidentit, me qëllim që të mbante postin e tij si kryetar i LDK-së, drejtësia në prëgjithësi karakterizohet nga dobësi strukturore.

Përsa i përket korrupsionit, raporti nënvizon se edhe pse në Kosovë ekzistojnë ligjet për kufizimin e përfshirjes së zyrtarëve në çështje ekonomike, ka munguar vuillneti politik për zbatimin e tyre. Megjithë proceset hetimore të ngritura për korrupsionin, nuk ka patur aktpadi dhe dënime, thotë raporti. Freedom House e sheh dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një element për të përmirësuar qëndrueshërinë dhe bashkëpunimin rajonal. Megjithatë ka shqetësime, se procesi mund të manipulohet nga interesat e Serbisë, për ndarjen e Kosovës. Raporti nënvizon se roli i BE-së si ndërmjetësues në dialog mund të dobësohet nga mungesa e një qëndrimi të unifikuar për Kosovën, të cilën ende nuk e njohin të gjitha vendet e Bashkimit.

Sfidë për Kosovën, thuhet në raportin e Organiztaës Freedom House, mbetet vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa misionet ndërkombëtare duhet të marrin hapa konkrete për zbatimin e mandateve të tyre edhe në veriun e vendit dhe për ndërtimin e një shteti të Kosovës, ku të sundojë ligji.

XS
SM
MD
LG