Lidhje

OSBE kërkoi angazhimin e grave në politikë


Kodi zgjedhor parashikon një kuotë mbi përfshirjen e grave në listat e kandidatëve partiakë, por partitë nuk i përmbushën detyrimet që premtuan

OSBE nxiti sot gratë shqiptare që të përfshihen më shumë në jetën politike të vendit dhe në institucionet vendimmarrëse për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të shtresave të diskriminuara.

Një përfaqësuese e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore, ODIHR e OSBE deklaroi në Tiranë se Shqipëria ka nevojë të ngutshme përfshirjen e më shumë grave në jetën politike, së pari për të mbrojtur vetveten dhe së dyti për të rregulluar çështje të shtresave në nevojë, për të cilat burrat nuk kanë ndjeshmëri.

Zonja Kristin Van Der List e ODIHR-it tha se “disa shtete e kanë nivelin e pjesëmarrjes së grave në politikë nga 30 deri në 40 për qind. Megjithatë, kjo nuk është një çështje numrash, por se sa kuptimplotë është ky angazhim i grave në politikë. Për këtë nuk ka as institucione rregulluese që të ndërhyjnë. Kjo çështje varet në rëndësinë që vetë gratë i japin përfshirjes së tyre në partitë politike, ndikimi dhe përmirësimi që ato mund t’i bëjnë politikës”.

Tryeza u organizua nga OSBE në përpjekje për të risjellë në qendër të vëmendjes temën e grave në politikë tani që po diskutohet edhe reforma zgjedhore nga partitë kryesore.

Mesila Doda deputete e Partisë Demokratike, tha se numri i femrave në Shqipëri është shumë i lartë, ndërsa numri i grave në institucionet vendimmarrëse është minimal. Ajo foli për një nismë të re ligjore, që mund ta çojë realisht në 30 për qind kuotën e pjesëmarrjes së grave në kandidimet partiake dhe në jetën politike.

Valentina Leskaj, deputete e Partisë Socialiste të opozitës, tha se çështja e grave në politikë ka mbetur vetëm brenda mureve të partive dhe prej saj është larguar edhe shoqëria civile.

Gratë shqiptare janë fare pak të përfaqësuara në politikë dhe institucionet vendimmarrëse, ndërkohë që ato duhet të demokratizojnë edhe vetë partitë. Në Tiranë pjesëmarrja e grave në politikë është shumë e ulët, por duke u larguar nga qendra nëpër rrethe kjo sa vjen e ulet akoma më tej.

Parlamenti miratoi zgjedhjet e fundit një kuotë për përfshirjen e detyrueshme të grave në listat e kandidatëve partiakë, por partitë kryesore nuk i përmbushën këto detyrime dhe KQZ nuk u tregua e vendosur që partitë të zbatonin ligjin në këtë pikë.
XS
SM
MD
LG