Lidhje

Përfitimi nga mjetet ajrore pa pilot


Rregullatorët në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar përdorimin e parë të mjeteve ajrore pa pilot për qëllime komerciale në vend, duke i hapur rrugën një industrie që do të krijojë mijëra vende pune dhe do të fitojë miliarda dollarë. Mjetet ajrore pa pilot, të quajtura shkurt UAV, do të kontrollojnë fabrikat e naftës në thellësi të Alaskës. Por ky është vetëm hapi i parë drejt krijimit të rregullave me synim për të ruajtur sigurinë në qiell, por edhe duke lejuar sipërmarrësit të krijojnë një industri krejt të re. Ekspertët thonë se kjo industri është gati për rritje të shpejtë.

Kamerat ajrore pa pilot mund të krijojnë video mahnitëse, duke i dhënë shikuesve ndjenjën e fluturimit të lirë.
Për të krijuar video ose foto të tilla, dikur nevojiteshin avionë të shtrenjtë të kontrolluar nga njerëzit. Por përmirësimi i shpejtë i kompjuterave, programeve, dhe mjeteve elektronike në përgjithësi, ka ulur koston dhe kohën e realizimit të këtyre veprimeve. Kompania e internetit, Amazon po bënë prova me avionë pa pilot për të shpërndarë pako.

Universiteti i Kalifornisë në Davis po eksperimenton me mjete Japoneze pa pilot për të spërkatur insekticide, me shpresën se do të jenë më të saktë dhe me kosto më të ulët se sa operacionet tokësore.
Kreu i Shoqatës Ndërkombëtare për Sistemet e Mjeteve pa Pilot shpreson se zyrtarët amerikanë së shpejti do të krijojnë rregulla që i lejojnë operimin e sigurtë të këtyre mjeteve dhe zhvillimin e kësaj industrie të re.

“Në tre vitet e parë, do të kishte mbi 13,6 miliard dollarë përfitim ekonomik dhe rreth 70 mijë vende të reja pune.”

Ekspertët thonë se industria e avionëve pa pilot përfshin sipërmarrës të rinj por edhe kompani të mëdha teknologjie dhe po rritet në një shkallë shumë të shpejtë.
Gjatë një interviste përmes Skype-it nga Hong Kongu, kreu i kompanisë së mjeteve pa pilot Team BlackSheep, Raphael Pirker thotë se puna e tij po kalon nga një zbavitje në një biznes serioz.

“Tani ka arritur puna ku bëhet fjalë për biznes dhe çështjen e kostos. Ata llogarisin koston, për shembull, mes një ekipi filmash në një helikopter të vërtetë dhe një ekipi filmash me një mjet ajror pa pilot si dhe përfitimet nga to, cilësinë e fotove, e të tjerë.”

Një ekspert thotë se kompanitë gjithnjë e më shumë do të kuptojnë se mjetet e vogëla pa pilot, do të jenë më të dobishme, me kosto më të ulët, dhe kjo mund të ndryshojë mënyrën e të bërit biznes.
Zëri i Amerikës bisedoi përmes Skype-it me profesorin Keith Hayward nga Shoqata Mbretërore Aeronautike në Londër.

“Bën një ndryshim shumë domethënës dhe jo domosdoshmërisht një revolucion në mënyrën se si e organizojmë shoqërinë.”

Mjetet ushtarake ajrore pa pilot prodhohen dhe operohen në Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera. Ato kanë luajtur një rol të debatueshëm në spiunazh dhe luftë. Në shumë raste, ato i ngjajnë aeroplanëve të luftës nga kompleksiteti, përmasat dhe kostoja.
Shumica e mjeteve ajrore komerciale pa pilot evoluan nga avionët e vegjël të kontrolluar me radio. Ato kanë çmim të ulët, zakonisht peshojnë rreth një kilogram dhe kanë më shumë mundësi të transportojnë një pako ose pica se sa një bombë.
XS
SM
MD
LG