Lidhje

Përfundon hetimi i brendshëm ndaj oficerit të policisë së Kapitolit


Kapitoli i Shteteve të Bashkuara
Kapitoli i Shteteve të Bashkuara

Një hetim i brendshëm i Policisë së Kapitolit ka shfajësuar një nga oficerët e tij në vrasjen fatale të një gruaje brenda Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar, ndërsa ajo dhe qindra mbështetës të Presidentit të atëhershëm Donald Trump u përpoqën të ndalonin ligjvënësit të çertifikonin se demokrati Joe Biden kishte mundur ish-Presidentin Trump në zgjedhjet e nëntorit të kaluar.

Prillin e kaluar, autoritetet federale kishin thënë se nuk do të ngrinin akuza penale ndaj oficerit, i cili nuk është identifikuar kurrë publikisht, për të shtënat ndaj 35-vjeçares Ashli Babbitt, veterane e dekoruar e Forcave Ajrore, e cili vitet e fundit ishte bërë një mbështetëse e vendosur e ish-Presidentit Trump.

Të hënën, agjencia e policisë përgjegjëse për sigurinë në Kapitol tha gjithashtu se në një hetim të brendshëm administrativ kishte konkluduar se oficeri nuk pati bërë shkelje.

Oficeri qëlloi zonjën Babbitt pak momente pasi protestuesit e tjerë aty pranë thyen një derë xhami vetëm pak hapa nga Dhoma e Përfaqësuesve, ndërsa ligjvënësit u përpoqën të largoheshin drejt zonave më të sigurta kur kuptuan se protestuesit kishin thyer sigurinë e ndërtesës, ndërsa ata ishin ende në fazat fillestare të çertifikimit të fitores së zotit Biden.

Në një deklaratë, Policia e Kapitolit tha se Zyra e saj e Përgjegjësisë Profesionale “përcaktoi se sjellja e oficerit ishte e ligjshme dhe brenda politikës së departamentit, e cila thotë se një oficer mund të përdorë forcë vdekjeprurëse vetëm kur oficeri beson në mënyrë të arsyeshme se veprimi është në mbrojtje të jetës njerëzore, përfshirë jetën e oficerit, ose në mbrojtje të çdo personi në rrezik të menjëhershëm për t'u lënduar rëndë fizikisht”.

Agjencia e policisë tha se në kaosin e 6 janarit, "oficeri në këtë rast me të gjitha gjasat shpëtoi (ligjvënësit) dhe stafin nga plagosja e rëndë dhe vdekja e mundshme nga një turmë e madhe protestuesish që u futën me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara dhe në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve" ku ligjvënësit dhe stafi "ishin (disa) hapa larg".

Hetimi konkludoi se oficerët kishin bllokuar hollin jashtë sallës së Dhomës së Përfaqësuesve "me mobilje, përpara se një protestues të thyente derën e xhamit. Nëse dyert do të shqyheshin, protestuesit do të kishin qasje të menjëhershme në plenaren e Dhomës së Përfaqësuesve. Veprimet e oficerit ishin në përputhje me trajnimin e oficerit dhe me politikat (e Policisë së Kapitolit të Shteteve të Bashkuara) dhe procedurat".

Protestuesit përballen me policinë e Kapitolit brenda godinës (6 janar 2021)
Protestuesit përballen me policinë e Kapitolit brenda godinës (6 janar 2021)

Agjencia thotë se, "oficeri në këtë rast, i cili nuk identifikohet për sigurinë e oficerit, nuk do të përballet me procedurë disiplinore të brendshme".

Deklarata e policisë tha se oficeri dhe familja e tij "kanë qenë subjekt i kërcënimeve të shumta të besueshme dhe specifike për veprimet që u ndërmorën si pjesë e punës së të gjithë oficerëve tanë: mbrojtja e Kongresit, (ligjvënësve), stafit dhe procesin demokratik".

Për disa mbështetës të ish-Presidentit Trump që përpiqen të minimizojnë rëndësinë dhe dhunën e trazirave të 6 janarit, zonja Babbitt është shndërruar në një heroinë pas vdekjes. Vitet e fundit, ajo kishte postuar mesazhe të shumta në mediat sociale duke shprehur mbështetje për ish-Presidentin Trump dhe lëvizjen e teorisë së komplotit QAnon.

Një ligjvënës konservator republikan, Ligjvënësi Paul Gosar, e ka quajtur vdekjen e zonjës Babbitt "një ekzekutim" dhe akuzoi oficerin që shtiu ndaj saj, se "i kishte zënë pritë" për ta bërë këtë.

Autoritetet thonë se rreth 800 mbështetës të ish-Presidentit Trump hynë në Kapitol më 6 janar, me disa prej tyre që sulmuan autoritetet e zbatimit të ligjit, thyen dritaret, plaçkitën zyrat e kongresit dhe u përleshën me policët, 140 prej të cilëve u plagosën gjatë përleshjeve.

Shumë nga protestuesit mburreshin në mediat sociale për marrjen e Kapitolit dhe u identifikuan shpejt nga miqtë dhe të afërmit e tyre, si dhe nga hetuesit e policisë.

Deri më sot, 615 persona janë akuzuar për një sërë veprash penale, që nga ato më të voglat, si shkelja në një zonë të sigurt, ndërkohë që të tjerë përballen me akuza më serioze, përfshirë sulmin ndaj policisë ose vandalizimin e Kapitolit. Rreth 40 kanë pranuar fajësinë deri më tani; me disa që përballen me tre ose katër vjet burg, ndërsa të tjerëve u janë dhënë shërbime prove për shkeljet më të vogla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG