Lidhje

Përmbytjet në Ballkan, fillojnë pastrimet


Përmbytjet në disa vende të Ballkanit kanë shkaktuar mijëra rrëshqitje dheu, duke lënë pasoja në fshatra dhe qytete të tëra. Banorët kanë filluar tani procesin e pastrimit.

Banorët e qytetit të Tuzlës në Bosnje, filluan sot punën për pastrimin, pas një rrëshqitjeje të madhe dheu që dëmtoi një numër shtëpish.

Ballkani është përballur ditët e fundit me përmbytjet më të rënda që janë parë ndonjëherë.

Kryetari i Bashkisë së Tuzlës, Jasmini Imamoviç, tha se qyteti kërcënohet nga rreth 600 rrëshqitje dheu dhe se në krejt distriktin ka afro 1,500 rrëshqitje dheu aktive.

"Ne jemi dëshmitarë të një shkatërrimi të madh, qindra shtëpi janë kërcënuar. Rrugët janë dëmtuar, rrjeti i furnizimit me ujë është prishur. Dëmi shkon në dhjetëra milionë euro," tha zoti Imamoviç.

Brenda tri ditëve, në këtë rajon ranë shira që zakonisht bien në tre muaj, duke shkaktuar përmbytjet më të rënda prej 120 vjetësh.

Të paktën 35 vetë gjetën vdekjen në Serbi dhe në Bosnje gjatë 5 ditëve përmbytje.

Në Serbi, dhjetra mijë njerëz u detyruan të lënë shtëpitë. Reshjet kërcënuan të përmbytin centralin më të madh elektrik, i cili furnizon një të tretën e vendit dhe pjesën më të madhe të Beogradit.

Dje, ujërat u tërhoqën në disa zona, duke zbuluar shkallën e plotë të dëmeve. Urat, rrugët dhe shtëpitë në fshatrat në jug të Beogradit janë dëmtuar rëndë nga shirat e javës së kaluar.

Autoritetet thanë sot se të paktën 17 vetë kanë humbur jetën në Serbi gjatë pesë ditëve të fundit dhe më shumë se 20 mijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë.
XS
SM
MD
LG