Shefi i ri ekzekutiv i Zërit të Amerikës premtoi të mërkurën se do t’i përmbahet mandatit të tij për të garantuar një gazetari të pavarur, edhe pse VOA është një agjenci e financuar nga qeveria.
Michael Pack, i cili kohët e fundit bëri betimin si shef ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe operacionet e tjera mediatike amerikane për jashtë, i tha përmes një emaili stafit të Zërit të Amerikës, redaktorëve dhe personelit tjetër, se ai është "plotësisht i angazhuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës dhe pavarësinë e gazetarëve të saj kudo në botë, që ai quajti “heroikë”.
Zoti Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump për të drejtaur USAGM më shumë se dy vjet më parë. Por me kundërshtime forta të demokratëve ndaj emërimit të tij, Senati i kontrolluar nga republikanët votoi vetëm dy javë më parë për ta miratuar atë për një mandat tre vjeçar në këtë post.
Javët e fundit, Presidenti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mënyrën e mbulimit të lajmeve për Kinën gjatë krizës së koronavirusit. I pyetur për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Presidenti tha: “Zëri i Amerikës menaxhohet në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Janë e kundërta e Zërit të Amerikës."
Në emailin e tij për stafin, zoti Pack nuk e përmendi Presidentin Trump apo polemikat në fjalë. Ai nuk tha as se kë planifikon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës.
Amanda Bennett, drejtoreshë e Zërit të Amerikës që nga viti 2016, dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, të dyja gazetare me përvojë të gjatë, dhanë dorëheqjen të hënën, duke thënë se është e drejta e zotit Pack të emërojë njerëzit në krye të Zërit të Amerikës.
Zonja Bennett, një mbështetëse e vendosur për gazetari të pavarur në Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë kritikat e fundit të Presidentit Trump, duke mbrojtur misionin dhe raportimet e VOA.
"Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta, dhe të besueshme," tha ajo. Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA garanton lirinë e fjalës.
"Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e 280 milion njerëzve që na ndjekin në 47 gjuhë dhe në më shumë se 60 vende thonë se ata e shohin punën tonë si të besueshme," tha zonja Bennet.
Disa vëzhgues të jashtëm kanë shprehur frikë për mandatin e zotit Pack në USAGM, duke lënë të kuptohet se ai mund të mos i rezistojë presionit të Shtëpisë së Bardhë për një mbulim lajmesh në favor të zotit Trump.
Gazeta New York Times shkruante në një editorial të martën, "Fantazma e kthimit të VOA në një mjet propagandistik të Shtëpisë së Bardhë duhet të jetë e frikshme për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga prirjet politike." Redaksia shkruante se “Zoti Trump dëshiron një altoparlant, jo një instrument diplomatik, dhe ai insiston tek besnikëria."
Ndërsa Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv, drejtorët e Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet - i cili më parë mbykëqyrte Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tij simotra - publikuan përkufizimin e tyre për gazetarinë e pavarur në Regjistrin Federal të veprimeve të qeverisë.
"Secili nga rrjetet e financuara nga USAGM gëzon pavarësi të plotë editoriale, në mënyrën se si ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë," thuhej në deklaratë.
"Pavarësia editoriale përfshin, por nuk kufizohet vetëm te fakti që, vetëm individë brenda rrjetit mund të marrin vendime në lidhje me mbledhjen e lajmeve ose raportimin," thanë drejtorët. "Rrjetet e USAGM dhe punonjësit e tyre, duke përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë plotësisht të veçuar nga çdo presion politik ose nga procese që do të ishin jo në përputhje me standardet më të larta të gazetarisë profesionale."
Zoti Pack ka mbajtur më parë poste ekzekutive në agjenci mediash të qeverisë të transmetimeve për jashtë ose publike. Por vitet e fundit, siç shkruante edhe në emailin për punonjësit e VOA, ai ka drejtuar një sipërmarrje private, Manifold Productions, që ka prodhuar 15 dokumentarë të transmetuar në SHBA në rrjetin PBS (Shërbimi i Transmetimeve Publike).
"Këto filma ishin gjithashtu mënyra ime e rrëfimit të historisë së Amerikës," tha ai. "Megjithëse realizimi i dokumentarëve është punë shumë e këndshme, unë mezi prisja të kthehesha në sektorin e transmetimetve për jashtë në këtë pikë kritike të historisë sonë."
Ai tha "kundërshtarët e Amerikës kanë shtuar përpjekjet e tyre të propagandës dhe dezinformimit. Ata po promovojnë në mënyrë agresive vizionet e tyre shumë të ndryshme për botën".
Zoti Pack tha se ai do të përpiqet të përmirësojë moralin e punonjësve në USAGM dhe "të shqyrtojë disa nga problemet që janë shfaqur në media vitet e fundit".
"Misioni im do të jetë ta bëj agjensinë më të efektshme" dhe kjo është “më e rëndësishmja," tha ai.
Facebook Forum