Lidhje

Pack vazhdon spastrimet në Agjencinë amerikane të Lajmeve Ndërkombëtare


The U.S. Agency for Global Media logo at Voice of America, in Washington, D.C., Nov. 22, 2019. (VOA)

Michael Pack, kreu i rrjeteve globale të lajmeve të qeverisë amerikane, ndërmori hapa të mërkurën për të larguar disa zyrtarë të lartë, një veprim për të cilin të paktën dy prej tyre thanë se dukej të ishte hakmarrës.

Në një deklaratë dërguar gazetave Politico dhe New York Post, një zëdhënës i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) tha se ky hap kishte për qëllim rivendosjen e "respektit për sundimin e ligjit në punën tonë" në USAGM, pasi një analizë kohët e fundit gjeti shkelje të procedurave për vetingun e gazetarëve të huaj dhe të tjerë të punësuar nga pesë rrjetet e agjencisë, që përfshijnë edhe Zërin e Amerikës.

Zyrtarët u vendosën në leje administrative.

Megjithatë, zyrtari më i lartë ndër personat e pezulluar, kryeshefi financiar Grant Turner, tha se ishte ndëshkuar pasi kishte folur hapur për "modele të keqmenaxhimit të rëndë" që kur zoti Pack mori postin në qershor dhe për shkelje të rregulloreve që mbrojnë gazetarët e USAGM nga ndërhyrjet politike.

"Mendoj se kjo është në fakt hakmarrje për shumë çështje që unë kam ngritur në zyrën e drejtorit ekzekutiv," i tha zoti Turner Zërit të Amerikës në një intervistë. Ai i quajti "të pajustifikuara" arsyet e deklaruara për heqjen e tij.

U pezullua gjithashtu David Kligerman, i cili ka shërbyer si jurist i përgjithshëm për USAGM dhe para kësaj për Zërin e Amerikës.

"Si punonjës civil në karrierë, u zhgënjeva kur mësova për këto veprime," tha ai në një prononcim për Zërin e Amerikës. "Nuk mund të nxjerrësh asnjë përfundim tjetër përveç faktit që kjo është një hakmarrje ndaj përpjekjes për të bërë punën time në mënyrë të pa ndikuar nga politika dhe për të thënë të vërtetën përpara njerëzve me pushtet".

Michael Pack
Michael Pack

USAGM nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me pretendimet për hakmarrje dhe as nuk konfirmoi njoftimet e mediave që thonë se katër drejtues të tjerë të lartë të USAGM u detyruan gjithashtu të largohen.

Pas gati dy vitesh vonesë, Pack u konfirmua nga Senati në qershor për të marrë postin më të lartë të USAGM, duke zëvendësuar zotin Turner, i cili kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv. Qysh atëherë, drejtuesit më të lartë të VOA dhe rrjeteve të tjera kanë dhënë dorëheqjen ose janë hequr nga detyra, marrja në punë dhe shpenzimet janë pezulluar dhe zoti Pack ka pezulluar miratimet për rinovimin e vizave të gazetarëve të huaj të agjencisë.

Kritikët thonë se këto veprime duket të jenë të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me ligjet që janë krijuar për të mbrojtur pavarësinë e gazetarëve të USAGM dhe për të siguruar që njoftimet e lajmeve të jenë të sakta, të ekuilibruara dhe gjithëpërfshirëse.

Pas betimit në postin e ri, zoti Pack i tha stafit të Zërit të Amerikës përmes emailit se ai është "plotësisht i përkushtuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës ... dhe pavarësinë e gazetarëve tanë heroikë kudo në botë".

Ligjvënësi demokrat Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, që ka përgjegjësi mbikëqyrëse për agjencinë USAGM, tha në një deklaratë se pezullimi i zotit Turner dhe të tjerëve "ka shijen e hakmarrjes së paligjshme" dhe se ai do të kërkojë një hetim nga inspektori i përgjithshëm.

"Me sa kuptoj, një numër individësh që janë pezulluar ishin përpjekur ta vinin në dijeni udhëheqjen e agjencisë për veprime potencialisht të papërshtatshme ose të paligjshme gjatë muajve të parë të zotit Pack në pozicionin e tij", tha ligjvënësi Engel në deklaratë.

"Është një përpjekje e qartë për të fshehur shkeljet e tij të deritanishme dhe për t'u mbyllur gojën atyre që mund të shprehin shqetësim për veprimet e tij në të ardhmen", thuhet në deklaratë.

Zoti Pack është planifikuar të dëshmojë para komisionit më 24 shtator.

Në intervistat me mediat konservatore dhe në njoftimet e lajmeve, zoti Pack e ka paraqitur veten si një forcë ndryshimi që synon të çrrënjosë paragjykimet dhe keqmenaxhimin në USAGM. Javën e kaluar, zyra e tij publikoi një raport të mëparshëm konfidencial të Zyrës së Menaxhimit të Personelit ku thuhet se agjencia kishte dështuar për vite me radhë të kryejë kontrollet e duhura të sigurisë për punësimet e reja, përfshirë gazetarët e huaj të sjellë për aftësitë e tyre të specializuara gjuhësore.

Programet e USAGM transmetohen në më shumë se 60 gjuhë në afro 100 vende ku kontrollet e qeverisë dhe censura shkelin lirinë e shtypit, përfshirë Kinën, Iranin, Ballkanin dhe dhjetëra vende në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azinë Jugore dhe Qendrore.

Shumë prej gazetarëve të USAGM janë punësuar me viza të përkohshme J-1 që në të kaluarën janë zgjatur rregullisht nga drejtori ekzekutiv i agjencisë. Por muajin e kaluar, zoti Pack i ndaloi papritur zgjatjet, duke thënë se procesi i vizave po rishikohet, një veprim që krijoi paqartësi në shërbimet e gjuhëve të Zërit të Amerikës dhe tensione me zyrën e zotit Pack.

Në një email të 23 korrikut për stafin, ai tha se analizat që i ishin bërë në të kaluarën USAGM-së nga agjencitë e tjera kishin zbuluar "dështime sistematike, të rënda dhe thelbësore të sigurisë" dhe se agjensia "po punonte me partnerët federalë për të siguruar që mangësitë të zgjidheshin me shpejtësi dhe në mënyrën e duhur".

Zoti Pack tha se ai e kishte urdhëruar hetimin për operacionet e agjencisë nga shqetësimi se "dështimet e identifikuara kompromentojnë aftësinë e saj për të përmbushur misionin, minojnë efikasitetin dhe efektivitetin e forcës federale të punës dhe paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA." Zyra e tij përmendi gjithashtu sigurinë kombëtare në mbrojtje të një rishikimi rast pas rasti të vizave J-1.

The Voice of America building, Monday, June 15, 2020, in Washington.
The Voice of America building, Monday, June 15, 2020, in Washington.

John Lansing, i emëruari i ish-presidentit Obama, i cili mbante më parë pozicionin e zotit Pack si drejtuesi i USAGM nga shtatori 2015 deri në shtator 2019, tha në një deklaratë të enjten se drejtuesit që janë larguar nga puna janë "disa nga punonjësit më të mirë të shërbimit publik, me të cilët kam pasur privilegjin të punoj."

"Përpjekja e zotit Pack për t'i diskredituar ata është thjesht një tymnajë për të fshehur përpjekjen e tij për t'i hequr pavarësinë editoriale Zërit të Amerikës dhe për ta bërë atë mjet propagande që favorizon administratën, gjë që është e paligjshme sipas statutit të Kongresit që themeloi Zërin e Amerikës dhe USAGM," shkruan zoti Lansing.

Në një intervistë, zoti Turner ngriti gjithashtu shqetësimin për pavarësinë editoriale dhe presionet mbi burimet njerëzore të agjencisë.

Ai tha se shkeljet e mundshme përfshijnë ricaktimin e përkohshëm në detyrë të redaktorit të standardeve gazetareske të Zërit të Amerikës, Steven Springer dhe politikën e vizave J-1, duke thënë se ishin "në përputhje me atë që kam parë si një model të përpjekjes për të varfëruar burimet e rrjeteve tona të ndryshme të transmetimit".

Si drejtor ekzekutiv i përkohshëm, zoti Turner komentoi për zgjatjet e vizave dhe tha se ai nuk ishte i vetëdijshëm për ndonjë të metë në proces.

"Ne kemi njerëz nga shumë vende, dhe agjensia, besoj, e ka marrë seriozisht sigurinë ndër vite dhe është përpjekur të bëjë hetime shumë të qarta për stafin," tha ai.

"Që nga fillimi i mandatit të zotit Pack, ekziston një model i keqmenaxhimit të rëndë në agjenci për të cilën kam ngritur shqetësime," tha zoti Turner.

Zëdhënësi i zotit Pack mbrojti largimin e Grant Turnerit dhe të tjerëve në gazetën Politico, duke thënë: "Ne morëm masa sot për të rivendosur integritetin dhe respektimin e sundimit të ligjit në punën tonë në USAGM. Ne do të ndërmarrim hapa shtesë për të ndihmuar kthimin e kësaj agjencie në ditët e lavdisë së saj."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG