Lidhje

Pacolli: Jam i gatshëm të përballem edhe me Gjykatën Kushtetuese


Pacolli: Jam i gatshëm të përballem edhe me Gjykatën Kushtetuese
Pacolli: Jam i gatshëm të përballem edhe me Gjykatën Kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur i gatshëm të përballet me Gjykatën Kushtetuese, nëse një gjë e tillë kërkohet prej tij, ndërsa ka shprehur bindjen se e përfaqëson unitetin popullit sikundër edhe kërkohet me Kushtetutën e Kosovës. Ai i bëri këto komente duke ju përgjigjur kundërshtimeve ndaj zgjedhjes së tij në seancën e së martës në Parlamentin e Kosovës ku u zhvilluan votime të tensionuara. Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Kransiqi ka deklaruar mbrëmë në një intervistë të gjatë për Kohavisionin se është shkelur kushtetuta dhe se vullneti i deputetëve të pranishëm në atë seancë ishte ai nga votimi i herës së parë, kur Behgjet Pacolli morri 54 vota gjithsejtë. Por, presidenti Pacolli e sheh ndryshe këtë proces.

“Unë kam kaluar me mbi 90 për qind të votave të deputetëve që ishin në sallë”, tha presidenti Pacolli.

Një ditë më parë, zoti Krasniqi i cili ishte deri dje ushtrues detyre i presidentit të Kosovës i dorëzoi postin presidentit të ri, duke mos vënë në pikëpyetje vendimin e Parlamentit.

“Shikoni, mendoj që duhet ta bëni një dallim në mes të dorëzimit të detyrës zyrtare dhe qëndrimit tim politik. Konsideroj dhe kërkoj nga ju që vërtet t'i bëni këto dallime. Unë kam pasur obligim nga detyra që e kam pas dhe nga përzgjedhja që e ka bërë Kuvendi i Kosovës, ta dorëzoj detyrën dhe e kam dorëzuar detyrën. Qëndrimi im politik se si është zgjedhur është e natyrës tjetër”, tha kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Kundërshtimin e tyre ndaj zgjedhjes së presidentit Pacolli e kanë shprehur edhe deputetët e opozitës e cila braktisi seancën e së martës dhe paralajmëroi mundësinë që të kërkojë një opinion të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Presidenti Pacolli nuk ka pranuar të debatojë më shumë rreth kësaj çështjeje.

“Nëse kërkohet nga unë, sigurisht që po”, tha presidenti Pacolli.

Zgjedhja e presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita.

Lëvizja Vetëvendosje protestoi sot nëpërmjet një siç u tha aksioni kundër këtij koalicioni qeverisës. Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje, Vlorian Mulliqaj, tha se kjo marrëveshje është koalicion i dialogut me Serbinë.

“Lëvizja vetëvendosje është kundër negociatave me Serbinë dhe për rrjedhojë jemi edhe kundër këtij koalicioni sepse ky koalicion do t'i rifilloj negociatat me Serbinë, për të cilat ne mendojmë që janë tepër të dëmshme për popullin e Kosovës. Këto negociata që po përgatiten, janë përfundimi i procesit të ndarjes së brendshme të Kosovës”, tha zoti Mulliqaj.

Çështja e bisedimeve me Serbinë ishte temë diskutimi me dyer të mbyllura ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe zotit Robert Cooper, i dërguar i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Catherine Ashton. Në një njoftim të zyrës së kryeministrit thuhet se në takim është theksuar se dialogu për çështje praktike do të përqendrohet në çështjet të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyjave vendeve, siç janë lëvizja e lirë, shkëmbimi tregtar dhe bashkëpunimi rajonal.

Dje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, emëroi zëvendëskryeministren e tij, Edita Tahirin, udhëheqëse të delegacionit të Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbinë. Ai ka shprehur bindjen se këto bisedime që nuk do të kenë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore, do të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pavarësia e Kosovës që është njohur deri tash nga 75 vende të botës, vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila synon që nëpërmjet këtyre bisedimeve, të arrijë, siç thuhet, një kompromis me të cilin do t’i jepej fund konfliktit historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG