Lidhje

Padi kundër kompaninë Apple dhe disa shtëpive të mëdha botuese


Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe 15 shtete amerikane paraqitën dje padi kundër kompaninë Apple dhe disa shtëpive të mëdha botuese, nën akuzat se një marrëveshje për të ngritur çmimin e librave elektronikë, i ka kushtuar konsumatorëve amerikanë mbi 100 milionë dollarë në dy vitet e fundit duke i shtuar nga dy deri në pesë dollarë çmimit të çdo libri.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Eric Holder tha se drejtuesit më të lartë në këto kompani bashkëpunuan pët të eliminuar konkurrencën mes shitësve të librave elektronikë.

“Si rezultat i këtij bashkëpunimi, ne besojmë se konsumatorët paguan miliona dollarë më shumë për disa nga librat më të preferuar”, tha zoti Holder.

Departamenti i Drejtësisë akuzon se drejtuesit e këtyre kompanive donin të sfidonin Amazon.com që tregëton lexuesin elektronik Kindle, që ta detyronin atë ta rriste çmimin prej 9.99 dollarë që kishte vendosur për titujt më të njohur, një çmim shumë më i ulët sesa ai i variantit të botuar në letër.

Departamenti i Drejtësisë beson se kjo lloj skeme e kishte rritur çmimin e secilit libër mesatarisht 2 deri në 3 dollarë.

Qeveria arriti një marrëveshje me tre nga shtëpitë botuese, Hachette, Harper Collins dhe Simon & Shuster, që do të thotë se ato do të paguajnë një dëmshpërblim dhe nuk çështja nuk do të shkojë në gjyq.

“Për numrin gjithnjë në rritje të amerikanëve që duan ta përdorin këtë teknologji të re, Departamenti i Drejtësisë është i angazhuar që librat elektronikë të kenë një çmim sa më të arsyeshëm. Prandaj, Departamenti ka arritur marrëveshje me tre nga shtëpitë më të mëdha botuese në vend”.

Çështja me Apple dhe shtëpitë botuese Macmillan dhe Penguin Group do të shkojë në gjyq në New York.

Në akt-padi thuhet se përpjekja për të detyruar uljen e çmimeve të librave elektronikë të Amazon.com, u ndërmor ndërsa Apple bëhej gati për të hedhur në treg iPad-in.

Qeveria amerikane tha se kompanitë ranë dakord se në vend që t’ua shisnin librat librarive dhe të lejonin ato të vendosnin çmimet, botuesit do t’i përdornin libraritë si agjentë që mund t’i shisnin librat por jo të ndryshonin çmimin e përcaktuar nga botuesit.

Sipas kësaj skeme, kompanisë Apple i garantohej 30 për qind për çdo libër të shitur, sipas aktpadisë.

XS
SM
MD
LG