Lidhje

Pakistan: Shirat e reja rëndojnë më tej gjendjen e përmbytjeve


Sot në Pakistan pati përsëri shira të rrëmbyer, që shkaktuan përmbytje të reja dhe që i penguan përpjekjet e ndihmave. Në këtë mënyrë, kriza më e madhja në disa dekada, e cila ka prekur rreth 13 milionë njerëz, u thellua edhe më tej.

Zyrtarët pakistanezë thonë se ujrat që kanë përmbytur pjesën veriperëndimore po shkojnë drejt jugut përgjatë Lumit Indus në provincën Sindh. Ata thonë se përmbytjet kanë shkaktuar të paktën 1 mijë e 600 viktima.

Dhjetra mijëra banorë të Sindhit u larguan, por disa të tjerë refuzuan të evakuohen, pasi trembeshin për vjedhjen e pasurive të tyre. Autoritetet pakistaneze e kanë patur të vështirë të ndihmojnë të evakuuarit. Shirat e dendura bënë që disa helikopterë të ekipeve të ndihmave të uleshin.

Kryeministri pakistanez, Jusuf Raza Gilani, ka bërëi thirrje për ndihmë ndërkombëtare. Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët tha se punonjësit e saj kishin njoftuar për mungesa ushqimore, ilaçesh dhe uji të pishëm. Aleanca e NATO-s ka marrë përsipër të çojë ndihmë në rajon.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari ishte në Britaninë e Madhe dje për të mbledhur fonde për viktimat e përmbytjeve dhe për të marrë pjesë në një miting të Partisë së tij të Popullit. Ai është kritikuar për turneun e tij në Evropë pasi vendin e kishte përfshirë kriza e përmbytjes.

XS
SM
MD
LG