Lidhje

Një pakistaneze mes kuzhinierëve më të mirë të Nju Jorkut


Pak gra arrijnë të bëhen kuzhiniere në restorantet më të mira të Nju Jorkut. Eshtë akoma më e vështirë për ato gra që nuk janë shtetase amerikane. Ne do t’ju sjellim tani historinë e një gruaje të re pakistaneze që e ka kapërcyer këtë barrierë.

Fatima Ali është ndihmës kuzhiniere në restorantin e famshëm Café Centro në Manhattan. Ajo është gjithashtu një nga pakistanezet e pakta të diplomuara në Institutin e famshëm amerikan të Artit të Gatimit.

Por ajo që e bën rastin e zonjës Ali edhe më të pazakontë, sipas një ankete të Zërit të Amerikës, është se ajo mund të jetë e vetmja kuzhiniere që nuk është shtetase amerikane në një nga 70 restorantet më të mira të Nju Jorkut.

Ajo u rrit në Pakistan dhe thotë se një pjesë të mire të përvojës ajo mund ta çojë në vendlindje.

“Ka aq shumë gjëra që i kam mësuar këtu në Amerikë, që nuk i njihja në Pakistan. Si për shembull shumëllojshmëria e artikujve ushqimorë. Por ka qenë shumë interesante kur kam shkuar për vizitë në Pakistan dhe kam gatuar për familjen dhe miqtë e mi me ushqimet e këtushme që i dua aq shumë”.

Në korrik, Ali konkurroi me kuzhinierë të tjerë në një emision të kanalit televiziv Food Network. Falë kombinimit të erzave pakistaneze dhe kuzhinës perëndimore, ajo fitoi cmimin e parë me një shumë prej 10 mijë dollarësh.

“Fakti që fitova, mendoj se ishte një shpërblim i mrekullueshëm, për të gjitha sakrificat e familjes sime për të përballuar shkollimin tim, për kohën e gjatë që kam kaluar larg familjes dhe arsyeja kryesore për mua ishte të frymëzoja vajza të reja pakistaneze që të ndjekin ëndrrat e tyre”.

Jan Hoffmann është kryekuzhinire në Café Centro.

“Ajo ka një talent të jashtëzakonshëm dhe pas dy-tre vjetësh, pa dyshim që do të jetë mjeshtre kuzhine”.

Ali do që permes gatimit të sjellë ndryshim.

Në fillim ajo u frymëzua nga fëmijët e varfër në organizatën bamirëse që drejton e ëma.

“Isha më duket 12 ose 13 vjeç kur për herë të parë vendosa një kioskë për ushqim në një nga festivalet që organizonte mamaja, për të grumbulluar fonde për këta fëmijë. Fakti që kisha dhënë një kontribut qoftë edhe fare të vogël, duke gatuar për dikë, ishte momenti kur e kuptova që ky ishte profesioni im”.

Ali shpreson që të kthehet në Pakistan dhe të ngrejë kuzhina me fonde ndihmë, ku familjet e varfra të mund të hanë ushqime organike, me kosto të ulët, dhe ku adoleshentët të mësojnë të gatuajnë dhe profesione të tjera.

XS
SM
MD
LG