Lidhje

Panairi i librit në Prishtinë


Panairi i librit në Prishtinë
Panairi i librit në Prishtinë

Që nga tre qershori e deri sot, në Prishtinë është mbajtur panairi i librit, apo siç kanë dëshirë organizatorët ta quajnë nganjëherë festa e librit. Botues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ofruan mijëra tituj të rinj librash dhe disa mijëra tituj më të vjetër. Alfred Çako nga shtëpia botuese Helga Secrets shprehet i kënaqur me rrjedhën e panairit.

“Libri është pasuria më e madhe për të pasuruar shpirtin dhe kur unifikojmë librat, ne unifikojmë kulturën, gjuhën dhe karakteristikat tona të përbashkëta kulturore. Për mu është panairi i dytë që marr pjesë dhe shikoj që ka një tendencë duke u ngritur të pjesëmarrjes dhe të interesimit të njerëzve. Shikoj një pjesë të njerëzve të cilët janë zënë “rob” në kuptim e mirë të fjalës, bënë gjinitë e ndryshme sipas karakteristikave të ndryshme që kanë shtëpitë botuese”, tha zoti Çako.

Ndërsa Milot Ferizi nga shtëpia botuese Koha thotë se interesimi kësaj radhe ishte më i vogël nga panairet e shkuara.

“Mirë, deri në një përqindje jemi të kënaqur, organizimi ka qenë shumë i mirë. Por, shitje ka pasur më pak se vitin e kaluar”, tha zoti Ferizi.

Por, organizatorët ndjehen mirë më panairin e sivjetmë. Besian Zeneli, bashkërendues i shoqatës së botuesve thotë se rrjedha e panairit i ka tejkaluar edhe parashikimet e tyre, ndërsa veçon si më të rëndësishëm faktin se të rinjtë janë ata që janë më të interesuar për librin. Kjo thotë ai po ndodh fal rrjeteve sociale.

“Padyshim se një meritë e kanë dhe ato (rrjetet sociale), sepse për tre deri në katër javë arritëm të kemi një numër të paktën 4500 miq dhe padyshim që ata pastaj degëzohen me njëri tjetrin dhe ja ku është rezultati që e keni vërejtur edhe ju por edhe të tjerët”, tha ai.

Zoti Zeneli thotë se gjërat po marrin për të mirë edhe sa i përket cilësisë së librit që ofrohet në panair.

“Karakteristikë e këtij panairi, sivjet është bërë një panair i cili i është dedikuar vetëm botuesve të librave. Për të arritur qëllimin dhe efikasitetin e panairit kemi shkuar në parimin që të ekspozojnë vetëm botuesit. Atyre botuesve që ishin pjesëmarrës në panair i’a kemi siguruar hapësirën e duhur për ekspozim, por njëkohësisht të ketë hapësirë të duhur edhe për vizitorët. Kjo ka qenë e veçanta që jemi përpjekur që ne si shoqatë që të krijojmë kushte sa më volitshme për ekspozim por edhe vizitë”, tha zoti Zeneli.

Menjëherë pas luftës në Kosovë më 1999, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër veprimtaritë e para kulturore të historisë më të re të Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG