Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta viziton Kinën


Panetta Goes to China as Territorial Disputes Simmer
Panetta Goes to China as Territorial Disputes Simmer
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta ndodhet në Kinë, vizitë që synon të ulë dyshimet e ndërsjella, të cilat janë shtuar gjatë mosmarrëveshjeve territoriale në detin e Kinës Jugore dhe zhvillimit të shpejtë ushtarak të vendit.

Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta u takua në qershor me aleatët e Shteteve të Bashkuara për të forcuar partneritetet, ndërsa administrata Obama po e kthen përqëndrimin e ushtrisë në Paqësor, pas tërheqjes nga Iraku dhe Afganistani.
Kina është e mbërthyer në mosmarrëveshje territoriale lidhur me detin e Kinës Jugore me një numër vendesh fqinje, madje ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të mos përzihen. Gjatë një vizite këtë muaj në Pekin, Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton tha se qëndrimi i Uashingtonit është i qartë.

"Shtetet e Bashkuara nuk përzihen në pretendime terrritoriale. Interesat tona kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes e të qëndrueshmërisë, respektin për ligjin ndërkombëtar, lirinë e lundrimit dhe tregëtinë e ligjshme e të pandërprerë”.

Por Uashingtoni ka shprehur shqetësim rreth tensioneve në rritje në detin e Kinës Jugore dhe rreth hapjes së një objekti ushtarak të Kinës në ishullin Hainan, hap që është pritur me protesta nga Vietnami fqinj.

Kjo vizitë i jep Sekretarit Panetta mundësinë që të zbutë shqetësimet e Pekinit, i cili e akuzon Uashingtonin se përpiqet të kufizojë ndikimin kinez në Azi-Paqësori.
Në Singapor qershorin e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes e kundërshtoi këtë pikpamje.

“Përpjekjet tona për të mbajtur gjallë dhe për të intensifikuar angazhimin tonë në Azi janë plotësisht në përputhje me zhvillimin e Kinës”.

Analisti i çështjeve të mbrojtjes, Andrew Krepinevich, thotë se zhvillimi i shpejtë i arsenalit ushtarak të Kinës shton shqetësimet rreth ekspansionizmit të mundshëm kinez.

“Kina nuk ishte nën kërcënimin e agresionit. Shtetet e Bashkuara kishin një mbizotërim ushtarak në rajon pas luftës së ftohtë dhe nuk u bë ndonjë përpjekje për të kufizuar apo për të kërcënuar Kinën. Prandaj ekzistojnë shumë shqetësime lidhur me faktin se shtimi i arsenalit ushtarak nuk duket se ka qënë i provokuar dhe nëse kjo është e vërtetë, ngrihet pyetja: cili është objektivi?”

Kina ka zhvilluar teknologjinë e raketave me rreze të gjatë veprimi, diçka që analistët amerikanë thonë se përbën kërcënim të mundshëm ndaj bazave amerikane në Guam dhe Okinavë. Strategjia e re amerikane e mbrojtjes përfshin lëvizjen e shumicës së aseteve të marinës amerikane nga Atlantiku në Paqësor brënda pak vjetësh.
XS
SM
MD
LG